Hetim administrativ për pronësinë në Gjirin e Lalzit

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka urdhëruar hetim administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria “OMNIX”.
Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP).
Informacion do t’i kërkohet edhe ZVRPP në Durrës.
Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të Gjykatës së Durrësit.
Konkluzionet e hetimit administrativ do të bëhen të ditura në përfundim të procedurave ligjore.
Dy ditë më parë, me anë të një deklarate, kompania ka sqaruar se tërhiqet nga çdo investim i mundshëm në Shqipëri pas sulmit që iu bë sipërmarrësit libanez më 10 shtator.
Tërhiqet një nga investitorët më me peshë në Shqipëri, i cili kishte në projekt ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, me një vlerë prej 450 milionë dollarësh. Vendimi i “OMNIX” Albania ka ardhur si pasojë e sulmit që iu bë përfaqësuesit të kësaj kompanie në datën 10 shtator Fadi Mitri.
Me anë të një deklarate për mediat, “OMNIX” Albania thekson se do të tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë, ndërsa dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, ku u dhunua biznesmeni libanez dhe familja e tij.
Dje, rreth orës 16:45, kompania është larguar përfundimisht nga Shqipëria.