Droga e krimi vendosi për Dibrën, Rama humb kontrollin në Parlament

Me tensione dhe debate të forta u zhvillua dje seanca parlamentare aq sa është ndërprerë dy herë nga Kryetari i Kuvendit. Akuzat e opozitës për blerjen e votave në Dibër kanë acaruar Ramën ndërsa denoncimi i rënies së një avioni pranë Ishmit nga deputeti demokrat Noka nxiti me tone edhe më të forta debatin ku Rama humbi kontrollin e nisi të fliste përçart.
Opozita denoncoi dje në Parlament vjedhjen e votave në Dibër nga banda e Ramës përmes parave të trafikut të drogës, korrupsionit dhe krimit, ndërsa Rama iu fsheh debatit duke heshtur. Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka sfidoi Edi Ramën dje në Parlament për të vërtetuar faktet dhe provat e pakundërshtueshme se trafiku i drogës, korrupsioni dhe krimi vendosën për fatin e Bashkisë së Dibrës në zgjedhjet e së dielës që shkoi. Paloka e ftoi Ramën që të shkonte bashkë me të dhe mediat dhe të inspektonin të gjitha njësitë administrative të Dibrës nëse ishin të mbushura me plantacione kanabisi apo jo. “E sfidoj publikisht Edi Ramën, të marrim mediat e të nisemi tani duke filluar nga Selishta e vazhduar në zona të tjera në Dibër. Nëse nuk ka kanabis, unë largohem nga Parlamenti. Nëse ka, Edi Rama dhe qeveria e tij të japë dorëheqjen. Në të kundërt çdo shqiptar duhet ta dijë se si hashashi, korrupsioni dhe krimi vendosi për Dibrën”, u shpreh Paloka.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, në lidhje me zgjedhjet në Dibër, Paloka vlerësoi kandidaturën e Sherefedin Shehut, si dhe fushatën e zhvilluar prej tij. “Do të flas shkurt se nuk kam çfarë them në fakt. Fitoi Rama, jo ai i Dibrës. Ky! Fitoi dhe fitoi me meritë. E sigurisht siç thotë Rama, për këtë e ka fajin Lul Basha. E ka fajin Basha, sepse: Ne nxorëm një kandidat të nderuar në të gjitha aspektet, një profesionist adapt për vendin që konkurronte ndershëm. Një figurë për të cilën as ky që qelb gjithçka, nuk e sulmoi dot. Ky ju paraqiti dibranëve një kandidat të kapur prej veshi që në fillim. Votën për Sherefedinin ne e kërkuam me Petrit Baren, Besnik Mustafajn e Bujar Kapexhiun. Ti, me Ymerin dhe Sadriun. Ne, dilnim t’i takonim, t’i përshëndesnim, t’u jepnim dorën dibranëve ditën, ti u dërgoje bandat e kanabisit natën në shtëpi. Ne u flisnim për dinjitetin e burrave e grave të Dibrës, banditët e tu kërcënonin me jetë po të votonin PD. Ne i takonim për t’u njohur me problemet e tyre e për të ofruar zgjidhje, ti çoje sekserët e mjerimit që përpilonin listat e urisë. Të varfërve ne u premtuam dyfishim të ndihmës ekonomike, ti u hiqje edhe atë pak ndihmë që kishin”, u shpreh Paloka.
Kreu i Grupit parlamentar demokrat theksoi se rezultati i zgjedhjeve në Dibër erdhi si pasojë e blerjes masive të votave nga banda e Ramës me paratë e drogës dhe krimit. “Ne u premtonim subvencione për bujqësinë e investime për kanalizime të ujit, ti u kishe marrë edhe tokën dhe ujin me bandat e kanabisit. Ne ju thonim ‘nuk do të lejojmë që hidrocentralet e Damianit t’ju përmbysin toka e shtëpi’. Ti u çoje për fushatë vetë Damian Gjiknurin. Ne kërkonim t’ju kthenim shpresën të rinjve dibranë që mos merrnin rrugët. Ti pasi u mbylle universitetin, u thoje me mburrje si meritë e qeverisë tënde, se plot 16 të rinj dibranë, kishin fituar universitetin. Ne ju thamë se do të përfundojnë atë që ne kemi nisur, Rrugën e Arbrit. Ti ju the se ke tre vjet që nuk vjen në Dibër, por ke takuar ambasadoren kineze për rrugën e dibranëve. Ne, ‘i fyem’ dibranët, sepse u kërkuam të mos e shisnin votën për një copë bukë. Ti i mbrojte nga kjo fyerje! Jua bleve votën! Mund të vazhdoja gjatë duke renditur gabimet tona dhe meritat e tua e të flisja për policinë e administratën, por nuk ka vlerë. Ti fitove. Të lumtë! Shukriun”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat.

Arben Shahini