Gjimshiti titullar te Avellino

Berat Gjimshiti vijon të jetë pikë referimi në mbrojtjen e Avellinos në këtë fillim sezoni të Serisë B, megjithatë prania e shtatlartit shqiptar nuk i mbulon të gjitha problemet që ka skuadra e trajnerit Domenico Toscano në prapavijë. Në javën e 4-t të Serisë B, Avellino u mosht 3-1 në fushën e Veronës, por përtej shifrave ajo që shqetëson më shumë është mënyra se si i pëson golat ekipi i mbrojtësit kuqezi.
Pa u mbushur 13 minuta lojë, Gjimshiti tentoi të spastronte zonën, por topi mbeti në këmbët e Bessas, i cili gjeti mundësinë për të goditur, duke kapur të papërgatitur portierin Radunoviç, i cili pa topin të kalonte përtej vijës fatale. Avellino reagoi në të 36-ën me Bellonin, por vetëm një minutë më pas, Pisano, i asistuar nga Siligardi shënoi me kokë golin e 2-1. Edhe në këtë rast mbrojtja e Avellinos u vendos keq duke lënë të lirë futbollistin vendas. Në minutën e 42-të një tjetër pasiguri në mbrojtjen e skuadrës mike u shfrytëzua nga Romulo për golin e 3-1. Për Avellinon kjo ishte humbja e dytë në katër ndeshje në Serinë B, me skuadrën jugore që renditet e parafundit me vetëm 2 pikë nga 12 të mundshmet.
Gjithsesi është pozitiv fakti që Berat Gjimshiti po aktivizohet në vazhdimësi, pas një sezoni ku pjesën më të madhe të kohës qëndroi në stolin e rezervave tek Atalanta. 23-vjeçari luajti titullar edhe në radhët e kuqezinjve në fitoren 2-1 me Maqedoninë në eliminatoret e Rusi 2018, pas dëmtimit të Ajetit, ndërsa në sfidat e tetorit me Lihtensteinin dhe Spanjën do të varet nga koha që do t’i duhet Ajetit për të kaluar dëmtimin që pësoi te Torino në fund të gushtit.