Fshati digjet, Rama krihet!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar dje pas shfaqjes së Ramën me Ilir Beqen në Shkodër. “Dërdëllitje një orë pa pushim me regji qendrore për mrekullitë e mëdha që po ndodhin në bujqësi, ndërkohë që ka hequr çdo subvencion, nuk ka ngritur një treg të vetëm, nuk ka stimuluar një bujk a blegtor në gjithë vendin. Llomotit Rama në kohën kur fshatin e ka pllakosur një varfëri skëterrë. Burimet ujore janë në shërbim të kartelit të drogës, pllajat, kodrat, arat, kullotat e pyjet janë zaptuar nga trafikantët. Përveçse u ka kthyer kurrizin, fshatarët duhet të ruhen çdo ditë të mos prekin në zotërimet e kartelit të Edi Ramës, sepse rrezikojnë dhe jetën. Bujqësia ka nevojë për 100 milionë dollarë në vit subvencione që të ngrihet e të zhvillohet. Paratë janë, por Edi Rama i ndan me hajdutët e tij për makina luksi, zyra, fasada, e ekspozita jashtë shtetit. Për të marrë këto para, këtë ndihmë jetike, fshati duhet të ngrihet e të largojë hajdutët. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën” shprehet Basha në reagimin e tij.

Basha-Ramës: Hurin do ta tregojnë shkodranët shumë shpejt, burracak

Përplasjet dhe deklaratat publike të Kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi se Rama nuk akordon qëllimisht fonde për Bashkinë Shkodër duket se i kanë djegur shumë Ramës, aq sa ai të vijojë sulmet hakmarrëse ndaj Ademit. Rama ka qenë në Shkodër ditën e djeshme ku ka zhvilluar edhe një takim me dyer të mbyllura me Asamblenë e PS-së së këtij qyteti. Gjatë këtij takimi mësohet se Rama ka fyer dhe ofenduar para socialistëve kryetaren e Bashkisë Shkodër. “Voltana është si hu”, mësohet të ketë thënë kryeministri në mbledhjen me PS në Shkodër.  Në një reagim në rrjetin social Facebook, kreu i PD, Basha  ka reaguar ndaj Ramës ndërsa i është kundërpërgjigjur se: “Hurin do ta tregojnë shkodranët shumë shpejt, burracak”. Nga ana tjetër, kryetari i degës së PD-së në Shkodër Ramiz Çobaj ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në Asamblenë e PS-së në Shkodër, lidhur me kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi. Në një status në faqen e tij në “Facebook”, Çobaj akuzon kryeministri për harbutëri dhe urrejtje ndaj shkodranëve. “Edi Rama nuk zhgënjeu as sot me vizitën në Shkodër për të treguar harbutërinë e tij dhe në veçanti kompleksin ndaj grave. Shfrimi i tij prej laci ndaj Kryetares së Bashkisë Shkodër, e cila para një jave ia përplasi në fytyrë, nuk ka për ta ndihmuar aspak në betejën e tij të humbur me Shkodrën dhe qytetarët e saj. Kjo harbutëri dhe urrejtje e tij ndaj Shkodrës rrit përbuzjen e neverinë ndaj një racisti, që jo vetëm i diskriminon dhe ndëshkon shkodranët, por edhe i fyen ata paturpësisht. Shkodranët kanë dinjitetin e tyre për të përballur të tillë maskarenj, por kur duhet dhe kur e lyp nevoja, i marrin në hu këta zabërhanë, pa qenë nevoja të presin zgjedhjet….” shkruan Çobaj.