Frikë nga Atletiko

Luis Enrique as që e mendon një tjetër hap fals të Barcelonës në “Camp Nou” pas disfatës me Alaves, edhe pse këtë radhë përballë blaugranave do të jetë një kundërshtar shumë i fortë si Atletico e Madridit. Trajneri asturian i njeh armët e forta të “Los Colchoneros” dhe e ka të qartë se ndaj tyre duhet shmangur çdo gabim.
“Atletico e Madridit është e njëjta që kemi parë gjatë sezoneve të fundit, një nga skuadrat më të mira të Primera Division. Ata janë shumë të rrezikshëm në goditjet standarde si dhe në kundërsulm. Ndaj një kundërshtari direkt si Atletico duhet të shmangim gabimet. Sa herë që jemi përballur me ta kemi hasur shumë vështirësi, por këtë radhë në “Camp Nou” na nevojitet fitorja”, u shpreh Enrike.
Atletico është një skuadër solide, me një mbrojtje që nuk lë asnjëherë hapësira. Madje edhe Mesi e ka shumë të vështirë ta godasë portën. Por, sipas Enriques për futbollistin më të mirë në botë e pamundura nuk ekziston. “Nuk jam aspak i shqetësuar, sepse Leo është më i miri në botë. I kërkon hapësirat edhe atëherë kur nuk ka. Ne duhet të përpiqemi t’i shfrytëzojmë aftësitë e tij, duke angazhuar lojtarë të tjerë në fazën sulmuese”, tha ai.
46-vjeçari i del në mbrojtje brazilianit Neymar, i shumëkritikuar kohët e fundit për mënyrën e tij të të luajturit futboll. “Neymar ka stilin e tij të lojës dhe nuk ndryshon. Është një futbollist spektakolar dhe duhet t’i shfrytëzojmë aftësitë e tij. Koncepti i Neymar për lojën më pëlqen shumë dhe askush në kampionatin spanjoll nuk çuditet me të”, tha Enrike.
Dhe kur i kërkohet një opinion për Griezmann, Enrique heziton të thurrë elozhe për francezin.
“Griezmann është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullin dhe kjo që po them nuk është diçka e re dhe që përbën lajm”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Nga ana tjetër trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone thotë se, ndaj katalanasve është një sfidë e komplikuar. Simeone shton në fund se, Atletico është një skuadër që mund të përmirësohet ende shumë, por nuk duhet të shikojë asnjëherë ecurinë e rivalëve. Ai bën një koment edhe për titullin bombastik te Lequipe që u kërkon gazetarëve të votojnë Griezmann në garën për Topin e Artë, duke theksuar se ai zhvilloi një sezon spektakolar.