Drejtori i Policisë së Vlorës, ortak i skafit me 1 ton drogë

Drejtori i Policisë Kufitare të Vlorës është oratak me trafikantët e 1 ton droge që u kap dje nga policia italiane në Brindisi. Denoncimi publik është bërë nga ish-Kryeministri Berisha bazuar në një mesazh që i është drejtuar atij nga një oficer i Policisë së Vlorës. “Oficeri dixhital informon: Skafi me 1 ton drogë i kapur nga autoritetet italiane është i nipërve të “madam Lokomotivës”, Leskaj. Me ata është ortak drejtori i Kufirit të Qarkut të Vlorës! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“I nderuar doktor, jam një oficer policie i Vlorës! Skafi i nisur mbrëmë nga grykëderdhja e Vjosës në urën e Mifolit me 1 ton drogë në drejtim të Italisë është i nipërve të deputetes, Valentina Leskaj, nga Selenica, Robi Llanaj dhe Gëzim Zhupaj nga Selenica. Robi Llanaj në Selenicë ka një sipërfaqe me 10 ha hashash të mbjellë vetëm 2 km larg postës së policisë dhe ka gjithsej 40 punëtorë që punojnë dhe jetojnë në çadra në plantacinin me drogë dhe është një vrasës i njohur për komunitetin dhe policinë. Gëzim Zhupa është drejtori i Policisë së Kufirit të Vlorës, që garanton transportin me gomone të hashashit për në Itali dhe Greqi”, përfundon mesazhi i punonjësit të Policisë së Vlorës.

Si u bllokua skafi me 1 ton drogë në Brindisi

1 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua dje nga policia italiane në Brindisi. Mediat italiane bënë të ditur se, lënda narkotike ishte transportuar me gomone nga bregdeti i Vlorës. Gomonia me drogë ka kaluar pa asnjë problem për policinë shqiptare drejt ujërave të Italisë. Policia italiane ka bërë të mundur kapjen e gomones në Brindisi.
Gomonia kishte në brendësi një ngarkesë me 31 pako të mëdha, që përllogariten në 1 ton hashash. Duke iu referuar policisë, mediat italiane shkruajnë se mjeti lundrues është në zotërim nga tre shqiptarë, që kanë mundur të arratisen. Gomonia e kapur është 8.5 metra e gjatë, me dy motorë. Ajo ishte nisur nga Vjosa mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:00. Në orën 4:30 një helikopter i policisë zbuloi mjetin e dyshimtë, rreth 30 milje larg brigjeve të Brindisit. Trafikantët rritën shpejtësinë dhe arritën të dilnin në breg, ku braktisën mjetin dhe u larguan.
Në orën 6:00 të mëngjesit të së hënës, Guardia di Finanza e Barit njoftoi se në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur gomonia me 31 pako hashash. Nuk është bërë i mundur arrestimi i poseduesve të drogës dhe drejtuesit të mjetit ujor, pasi ata janë larguar sapo kanë parë mjetet e policisë italiane gjatë operacionit për bllokimin e drogës.
Ndërkohë, policia shqiptare bëri të ditur dje, se kishte patur njoftim për nisjen e gomones me 1 ton drogë nga grykëderdhja e Vjosës, por nuk ka arritur ta ndalojë. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, patrulla e Policisë Kufitare i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Megjithatë, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë. “Rreth orës 22:00 të ditës së dielë është identifikuar një mjet i dyshimtë lundrues. Gomonia është larguar me shpejtësi, pasi ka parë lëvizje në afërsi të tij. Rreth 2 kilometra nga grykëderdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Thirrjes për të ndaluar, trafikantët nuk i janë përgjigjur, por kanë shtuar shpejtësinë. Policia Kufitare ka hapur zjarr në ajër për ta ndaluar, por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe.
Në bordin e gomones, policia ka identifikuar tre persona si dhe disa thasë. Ndërkohë më pas është njoftuar pala italiane. Në ndjekje të gomones janë vënë mjeti i Policisë Kufitare Vlorë, mjeti i Repartit Special Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza. Pas një ndjekje deri në orën 5:00 të mëngjesit, autoritetet shqiptare edhe nga moti i keq, janë tërhequr.
Rreth orës 06:00, Guradia di Finanza e Barit ka njoftuar se në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur mjeti lundrues me gjatësi 8.5 metra, me motor “Merkuri 250”, plus motor rezervë, si dhe 31 pako marijuanë. Ndërkohë, tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe më pas të largohen”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare. Në njoftimin për mediat nuk ka shpjegim se përse dështoi operacioni i policisë shqiptare, pasi tre trafikantët e drogës kanë arritur të largohen të paidentifikuar.
Megjithëse ishte e ngarkuar me 1 ton kanabis, gomonia e trafikantëve të drogës arriti t’i shpëtojë policisë shqiptare. Me një ngarkesë të tillë, është logjike të mendohet se trafikantët e kanë pasur të vështirë të manovrojnë në det, aq më tepër nga moti i keq. Por sipas policisë, pikërisht për shkak të motit të keq, trafikantët kanë arritur të largohen.

R.POLISI