“Donnarumma do të vishet bardhezi”

Gianluiggi Donnaruma do të jetë gardiani i portës së Juventusit. Kapiteni aktual i badhezinjve Gianluiggi Buffon ndodhet në fund të karrierës së tij si portier i kampionëve të Italisë dhe nisur nga kjo drejtuesit e klubit  të Juventusit, kanë filluar të mendojnë për pasardhësin e tij. Zyrtarisht nga ana e tyre nuk është folur kurrë për zëvendësuesin e 38-vjeçarit, madje nuk është folur as për emra konkretë, por ai që hedh dritë mbi personin që mund të pasojë kapitenin është Stefano Tacconi, ish-portier i “Zonjës së Vjetër”.
Në një intervistë të dhënë ai shprehet i sigurt se, Gianluiggi Donnaruma do të transferohet tek Juventusi. Madje, ai shton se këtë fakt e ka shprehur gjithmonë dhe është i bindur se marrëveshja do të realizohet. Tacconi shton se momentalisht bardhezinjtë janë i vetmi klub që është në kërkim të një portieri dhe 17-vjeçari ka treguar se është një emër, i cili ofron garanci për shumë vite, pavarësisht moshës së tij të re, gjatë këtyre dy viteve me fanellën e Milanit ai ka treguar se është një talent, i cili ofron garanci. Sigurisht që tifozët kuqezinj shpresojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë, por me një Juventus që po tregon se në merkato paratë nuk janë problem gjithçka është e mundur.