Dhoma Britanike kundër taksës së bizneseve për Dhomën e Tregtisë

Dhoma Britanike në Shqipëri është themeluar 15 vjet më parë në Shqipëri në bazë të principeve dhe modelit anglo-amerikan, si edhe standardeve udhëzuese të ICC (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë), të cilat veprojnë mbi bazën e lirisë.
Përmes një deklarate për mediat thuhet se, Misioni i Dhomave të Tregtisë është të punojnë për të mbështetur biznesin në bazë të interesit reciprok. Dhomat duhet të ofrojnë shërbime cilësore dhe sa më shumë fokus në ndihmë të biznesit. Biznesi duhet të jetë në gjendje të bëjë dallimin dhe zgjedh atë që ofron më të mirën. Konkurrueshmëria e lirë do të përsoste Dhomat dhe Organizatat e Biznesit për t’u shndërruar vërtet në aleatë të natyrshëm të biznesit.
“Anëtarësimi i detyruar është një kosto ekstra mbi të bërit biznes dhe një detyrim që mbi të gjitha krijon ndjesinë e të qenit në fuqi të sistemit të marrjes me dhunë, pasi ky ligj nuk i detyron dhomat lokale t’i ofrojnë diçka në këmbim të biznesit. Modeli gjerman-italian nuk mund të krahasohet me gjobëvënësit e rinj siç do të jenë dhomat në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Dhomat bilaterale në vendin tonë janë një kontribut i madh profesional e demokratik për Shqipërinë. Ato çdo ditë kontribuojnë duke sjellë risi në shërbimet dhe bashkëpunimet me komunitetin e biznesit, si atij shqiptar, por edhe të bizneseve të vendeve nga vijnë.
E ardhmja e bizneseve shqiptare është orientuar drejt vendeve perëndimore dhe jo drejt Lindjes së kuqe siç po tenton lidershipi aktual i biznesit shqiptar” thuhet në reagim.
Sipas ndryshimeve që iu bënë këtij projektligji, i cili ka rreth një vit që diskutohet, kategoritë e ndryshme të bizneseve do të paguajnë kuota të ndryshme për anëtarësimin që do të jetë i detyrueshëm.
Kështu sipërmarrjet e reja ose ato startup do të paguajnë shifrën simbolike 1 dollar në vit, bizneset e vogla deri në 10 dollarë në vit, ndërsa bizneset e mëdha nga 30–1,000 dollarë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë do të ketë detyrë onorifike, ndërsa do të emërohet një drejtor ekzekutiv.
Gjithashtu, dhomat do të kenë detyrim të paraqesin në faqet e tyre zyrtare online pasqyrat financiare dhe buxhetet.
Në një numër të madh seancash dëgjimore që u organizuan, u dëgjuan komentet dhe sugjerimet e komunitetit të biznesit dhe të përfaqësuesve të grupeve të interesit. Konkretisht, Komisioni dëgjoi komentet dhe sugjerimet e shoqatave dypalëshe, përfaqësuese të bizneseve të huaja që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri, si Dhoma Amerikane, Dhoma Britanike, Italiane dhe ajo Gjermane, Dhoma Kombëtare e Veshjeve dhe Këpucëve, Shoqata e Investitorëve të Huaj, etj.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komision, deputetët pasi u njohën me gjendjen aktuale të funksionimit të dhomave në RSH dhe me problematikat e parashtruara nga përfaqësuesit e dhomave dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, identifikuan nevojën e ndryshimeve rrënjësore në ligjin për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë dhe kërkuan nga përfaqësuesit e ministrisë ndërmarrjen e nismës ligjore për hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, me qëllim reformimin dhe fuqizimin e tyre, në mënyrë që të jenë përfaqësuese zyrtare të legjitimuara të biznesit dhe interesave të tij dhe bashkëbiseduese në dialogun me shtetin dhe me qeverinë në lidhje me politikat ekonomike e të tjera.