Deputeti vrasës, Apeli i heq licencën për Lagunën

Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar kërkesën e familjes së deputetit të PS, Armando Prenga, për të rimarrë të drejtën për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që i dha të drejtë shoqërisë “Cali” për të shfrytëzuar Lagunën e Patokut, për të cilën rreth një vit më parë në Laç, deputeti i PS Prenga plagosi me armë në komisariat dy vëllezërit Cali.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i formës së prerë, duke ju kthyer kështu peshkatarëve të familjes Cali licencën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut deri në një vendim tjetër.
Gjykata Administrative deklaroi shfuqizimin e dy vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë, të cilat i jepnin të drejtën e shfrytëzimit të Lagunës shoqërisë rivale “Tenki 001”, me argumentin se tenderi i zhvilluar nga ministria ka qenë jo korrekt përsa kohë nuk ka marrë parasysh kriteret siç janë investimet e kryera në vite nga Calët.
Sipas Gjykatës, shfuqizohet vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Bujqësisë, që shpalli fitues të licencës së shfrytëzimit të Lagunës së Patokut vëllain e deputetit Prenga. E gjithë procedura e tenderimit dhe shpallja e fituesit është bërë në mënyrë të paligjshme, që sipas Gjykatës, ky tender duhet anuluar. Tre gjyqtarët e Apelit, në vendimin e tyre thanë se Komisioni i Ministrisë së Bujqësisë ka favorizuar vëllain e deputetit, pasi ka vlerësuar me pikë maksimale kompaninë e tij TENKI 01 për kritere që nuk ishin të parashikuar në procedurat e tenderimit, si ajo e dejtuesit teknik.
Nga ana tjetër, Gjykata argumentoi se Ministria e Bbujqësisë nuk i ka vlerësuar dy pikat kryesore dhe të rëndësishme të kompanisë Cali, investimet në Lagunë dhe eksperiencën disavjeçare në peshkimin artizanal. Por deri në rihapjen e proçedurave dhe shpalljen e fituesit të ri të licencës, Laguna do të shfrytëzohet nga peshkatarët e familjes Cali dhe jo kompania TENKI 01 e vëllait të deputetit Prenga.
Në fillim të shtatorit 2015, deputeti i PS, Armando Prenga, nën shoqërinë e disa personave të tjerë, u konfliktua me familjen Cali për Lagunën, ndërsa këta të fundit njoftuan policinë lokale. Konflikti më pas u zhvendos pranë Komisariatit të Laçit, ku Prenga qëlloi me armë ndaj familjes Cali.
Si pasojë e këtij konflikti mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dy pjesëtarë të familjes Cali, të cilët dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga deputeti Prenga, që tashmë akuzohet për tre vepra penale për këtë ngjarje.