Çuditë e Interit, blen lojtarë, por nuk mund t’í aktivizojë

Shkelja e rregullave të Fair Play Financiar vazhdon të penalizojë ndjeshëm Interin. Klubi ka shpenzuar gjatë merkatos së verës, por nuk mund të aktivizojë një pjesë të madhe të futbollistëve në Ligën e Europës, për shkak të shpenzimeve të tepërta dhe të ardhurave shumë të ulëta. Klubi ka dorëzuar sot listën e lojtarëve që do të regjistrojë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe jashtë saj kanë mbetur disa nga emrat më të njohur që zikaltrit afruan gjatë merkatos në vitin e fundit.
Për shkak të Fair Play Financiar dhe meqë nuk ka balancuar shpenzimet, Interi ka lënë jashtë listës jo vetëm dy blerjet e fundit të bujshme, Gabigol dhe Zhoao Mario, por edhe dy emra të tjerë që i afroi një vit më parë, Kondogbia dhe Jovetiç. Trajneri De Bur mund të ngushëllohet me faktin se në listë kanë arritur të përfshihen emrat e Banega dhe Kandreva, dy prej përforcimeve të kësaj vere.
Ndërkohë Juventusi në ditët e fundit të merkatos ka bërë një tjetër sakrificë ekonomike, pasi dje ka investuar edhe 29 milionë euro për të përforcuar organikën në dispozicion të trajnerit Masimiliano Alegri. Kampionëve të Italisë iu bashkua Huan Kuadrado, 29 milionë euro kosto e tratativës mes huazimit, të drejtës së blerjes dhe bonuseve. Totali: 196 milionë, pothuajse dyfishi i shumës që arkëtuan bardhezinjtë nga shitja e Pol Pogbasë. Një lajm shumë i mirë për Masimiliano Alegrin, i cili dje ishte i pranishëm në Nion të Zvicrës, ku çdo vit organizohet takimi i trajnerëve të klubeve “big” të Europës nga UEFA.