Ç’po ndodh me Moun?

Jose Mourinho nuk është më “Special One”. Si gjithmonë statistikat shpjegojnë gjithçka dhe në rastin e portugezit, tregojnë një bilanc negativ. Jose Mourinho ka humbur 14 nga 32 takimet e fundit. Shifra të ndara mes sezonit të kaluar kur ai drejtonte Chelsea-n dhe sezonit aktual në krye të stolit të Man.United. Në javët e fundit tekniku numëron tri humbje radhazi, dy në kampionat dhe një në Europa League. Një gjë e tillë portugezit nuk i ndodhte që prej kohës kur drejtonte skuadrën e Portos, ose e thënë ndryshe plot 14 vjet e 9 muaj më parë. Nisur nga këto statistika, pyetja që lind është e thjeshtë: Çfarë ka ndodhur me Jose Mourinhon? Trajnerin që kishte formulën e suksesit për çdo skuadër që ai merrte nën drejtim. Specialistët e futbollit në Angli, besojnë se skema që po përdor ai, nuk është idealja për “Djajtë e Kuq”, gjithashtu dhe Pogba nuk luan në pozicion e tij natyral.
Jose Mourinho ndodhet në një situatë të vështirë, pasi ka marrë në drejtim një skuadër që sezonet e fundit ka lënë për të dëshiruar dhe sigurisht që pesha e përgjegjësisë rëndon shumë mbi portugezin e ndoshta dhe mbi vetë lojtarët. Ndoshta e gjithë kjo ngarkesë ka bërë që futbollistët dhe trajneri, të jenë të bllokuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe pasojat janë rezultatet negative. 183 milionë euro të shpenzuara në merkato duket se nuk po japin rezultatet e pritura. Paul Pogba, është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e kritikëve, për shkak të formës së tij jo të mirë. Wayne Rooney gjithashtu nuk është me ai i dikurshmi. Gabon në pasime dhe shumë raste të humbura përpara portës. Mbrojtja gjithashtu nuk i shpëton dot kritikave. Jose Mourinho në vend që të merret me gjueti shtrigash, duhet t’i hyjë punës në mënyrë që ta rikthejë Man.United në majat më të larta të futbollit europian.
Jose Mourinho ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj paraqitjes së gjyqtarëve në humbjen që Manchester Junajtid pësoi me shifrat 3-1 përballë Uotfordit. Sipas portugezit, gjyqtari Majkëll Oliver duhej të kishte anuluar golin e parë të Kapue, pasi aksioni kishte filluar me një faull të Britos ndaj Marsial. “Unë nuk mendoj për debat apo për polemika. Mendoj se kjo është një situatë shumë e qartë… por është diçka të cilën nuk mund ta kontrolloj dhe as nuk mund të jem kritik ndaj saj”, tha trajneri pas ndeshjes për mikrofonin e “BT”.
“Mendoj se në pjesën e parë, për rreth 25-30 minuta, ne nuk luajtëm mirë dhe kjo është diçka që mund ta kontrollojmë, mund ta përmirësojmë, mund të punojmë për të. Por gabimet e gjyqtarit dhe vijërojtësit nuk janë nën kontrollin tim. Nuk mund të bëj asgjë për t’i përmirësuar”, vijoi Mourinho. “Në pjesën e dytë ne ishim shumë më mirë, morëm barazimin dhe më pas ishim ne skuadra që po kontrollonte lojën, ndërsa Gomes bëri një pritje fantastike. Fati është diçka tjetër që nuk mund të kontrollojmë. Nuk mund të kontrollojmë gjyqtarin dhe momentet me fat”, ishte shpjegimi për humbjen e djeshme, e treta brenda një jave për skuadrën e tij.