Chelsi, “mbreti” i ditës së fundit të merkatos

Orët e fundit të merkatos verore si gjithmonë rezervuan disa lëvizje sensacionale, madje edhe të papritura, por njëkohësisht edhe dështime të minutës së fundit. Përsa i përket emrave dhe shumave që ka shpenzuar pikërisht pak orë para rënies së gongut për mbylljen e transferimeve, skuadra e Chelsea i ka befasuar të gjithë. Klubi londinez riktheu në shtëpi pas dy vitesh futbollistin brazilian David Luiz, i cili la PSG për t’u vënë nën urdhrat e Antonio Contes. Rreth 40 milionë euro shkuan në arkat e kampionëve të Francës, të cilët në verë të 2013 paguan 50 milionë paund, një shumë rekord kjo për një mbrojtës, për ta marrë në Parc de Prince. 29-vjeçari do të jetë i lidhur me klubin londinez për tre vitet e ardhshme.
Por Chelsea nuk u ndal me kaq. Pikërisht në momentin e fundit siguroi edhe shërbimet e Marcos  Alonsos nga Fiorentina për 27 milionë euro. Kontrata e mesfushorit spanjoll, me blutë e Londrës do të jetë e vlefshme deri në vitin 2021.
Pas shumë tratativash më në fund, Juventusi e bindi drejtuesit e Chelseat për të lejuar transferimin e Cuadrados në Torino po në formën e huazimit për tre sezone. Për çdo vit bardhezinjtë duhet t’i paguajnë 5 milionë euro skuadrës së Roman Abramoviç, por do të kenë detyrim që ta blejnë kolumbianin për 25 milionë euro, nëse gjatë huazimit arrin objektivat sportivë.