Çfarë pune bënte Mondi?

359

Bledi KASMI

Nëse pyet se çfarë pune bën Beqja në qeveri të thonë se ai është i binduri me detyrën e sekserit për ndarjen e parave të koncesioneve mes Ramës dhe Vilmës. Pastaj nga vjedhja e madhe edhe Beqja vjedh me INTECH çfarë të mbetet.
Nëse pyet se çfarë pune bën Tahiri, të gjithë e dinë se ai është zari që përdoret nga Rama për të ruajtur lidhjet me krerët e krimit të organizuar dhe për t’i bërë atyre favore që nisin nga droga dhe përfundojnë tek zhdukja e provave të vrasjeve.
Nëse pyet se çfarë pune bën Beni, nuk ka njeri që nuk e di jo vetëm që ai luan bixhoz me paratë e shqiptarëve, por që është kudo ku janë biznesmenët që kërkohen për të pastruar paratë e pista në Shqipëri. Natyrisht këtë punë Beni nuk e bën vetë me zërin e tij të hollë, por se ka udhërrëfyes shefin që sa herë nevrikoset e merr në telefon dhe shan për shkarkim nervash.
Nëse pyet se çfarë pune bën Bushati junior, të gjithë e dinë se ai është gjithmonë në ajër, duke fluturuar sa në njërën skaj të globit në skajin tjetër, duke punuar me tranvestitin e radhës. Të gjithë këta që janë në qeveri e kanë bërë nga një punë të tillë gjatë këtyre tre viteve.
Pyetja që shtrohet sot është se çfarë pune bënte Mond Haxhinasto në qeveri, meqë dje dha dorëheqjen. Thonë se ai paska qenë ministër Transportesh dhe si edhe ministrat e tjerë kur shefi nuk i ngarkon punë dhe rrugë për të bërë, atëherë ai nuk ka se çfarë të bëjë përveçse të mbetet rrugëve.
Që të punonte Mondi si ministër i Rrugëve, duhet të kishte ndonjë lek. Që ti kishte këto lekë duhet t’ia jepte Rama. Mirëpo Rama nuk i dha lekë. Rilindasit thonë se kanë bërë 2 miliardë dollarë investime në këto tre vite, por nuk tregojnë asnjë investim që kanë bërë.
Mondi që duhet ta dinte iku duke na treguar “qe baba duart nuk di gjë ku i kanë çuar”. Rrugë në këto tre vite nuk është shtuar asnjë metër, 2 miliardë dollarë thotë qeveria janë dhënë, atëherë ka diçka që nuk shkon në këtë bilanc. Iku Mondi, por na mbeti vagabondi në qeveri, i cili nuk është aq i “marrë” sa Berisha që me 2 miliardë dollarë ndërtoi Rrugën e “Kombit”, autostradën Ibë-Elbasan dhe Tunelin e “Krrabës”, autostradën Lushnjë-Fier dhe Levan-Vlorë dhe autostradën Levan-Tepelenë përfshi këtu edhe rrugën e Bregut. Rama nuk bën punë si këto. Ai i merr paratë nga shqiptarët dhe i fut i çon në parajsat fiskale që t’i kenë depozitat plot pas 10 brezash kollovarët e familjes.
Ndaj është e vështirë t’i përgjigjet ndokush pyetjes çfarë pune bënte Mondi si ministër i Rrugëve që ngeli në rrugë të madhe.