Bizneset në krizë ulin konsumin e energjisë me 5.2% në 6-mujorin e parë

Konsumi i energjisë, në gjysmën e parë të vitit 2016, ka shënuar rënie të mëtejshme. Instituti i Statistikave, në publikim të bilancit të Energjisë për gjashtëmujorin e parë, raporton se konsumi vjetor i energjisë në janar-qershor ra me 1.9%. INSTAT raporton se, ndikim në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë krijuar bizneset, të cilat konsumuan 5,2% më pak në gjashtëmujorin e parë të 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Situata ndryshon për konsumatorët familjarë, ku përdorimi i energjisë elektrike nga ky grup konsumatorësh u rrit me 1,2% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Prodhimi rritje me 8.2%

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 4.065 GWh nga 3.758 GWh energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, duke shënuar rritje të prodhimit prej 8,2%. Kontribut në rritjen e prodhimit neto vendas kanë dhënë hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhimi i të cilave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 është rritur me 35,9% krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2015. Hidrocentralet publike rezultojnë të kenë ulje të prodhimit në këtë periudhë me 1,2%. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 ka ndikuar në rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve të energjisë elektrike, duke sjellë rënie të importeve bruto (energji në marrje) me 4,7% dhe rritje të eksporteve bruto (energji në dhënie) me 53,3%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Hidrocentralet publike kanë realizuar 68,4% të prodhimit të energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 nga 74,8% që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Kontributi i hidrocentraleve private dhe koncensionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 31,6% nga 25,2% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importi në rënie, eksporti në rritje

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, rezultoi me rënie, duke arritur vlerën 776 GWh nga 814 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti 1. 289 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 nga 841 GWh që përbënte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njësoj si gjashtëmujori i parë i vitit 2015, vendi rezulton të jetë eksportues neto i energjisë elektrike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, por vihet re një rritje e vlerës të shkëmbimit tregtar në 514 GWh nga 27 GWh që rezultoi në gjashtëmujorin e parë 2015. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 humbjet në rrjet kanë rënë me 11,2%, ku ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve në shpërndarje, të cilat përbëjnë 89,8% të humbjeve gjithsej në rrjet. Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.037 GWh nga 1.167 GWh që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Humbjet në shpërndarje kanë rënë 13,4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Ndryshe paraqitet situata për humbjet në transmetim, të cilat u rritën me 14,4%, duke përbërë 10,2% të humbjeve në rrjet nga 7,9% të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.