Beso i Ramës, 690 mijë euro borxh, i sekuestrohet kompleksi “Taiwan”

1211

Qendra shumëfunksionale e argëtimit “Taiwan”, e vendosur në Parkun “Rinia” në Tiranë është nën sekuestro nga kompania përmbarimore, ALBASE. Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), ku gjithashtu mësohet se masa është marrë për shkak të një borxhi prej 690 mijë eurosh që shoqëria “Taiwan” ka ndaj kreditorit, Tajar Shahin Hasa.
Shoqëria përmbarimore ka lajmëruar administratorin e Taiwan, Avin Braçajn që të paguajë detyrimin në mënyrë vullnetare. Përveç detyrimit “Taiwan” duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit dhe të përmbarimit me vlerë 5 milionë lekë.
Kompanisë i është lënë kohë të paguajë detyrimet në formë vullnetare deri brenda 10 ditëve.
Mbas këtij  afati, shoqëria përmbarimore ALBSAE sqaron në urdhrin përkatës se, do të fillojë ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit për urdhrin e ekzekutimit. Nëse debitori refuzon të zbatojë urdhrin e Gjykatës do të gjobitet 50 mijë lekë deri në ekzekutimin e detyrimit si dhe do të bëhet kallzim penal për pengim të ekzekutimit në bazë të Nenit 320 të Kodit Penal.
Por Shoqëria “Taiwan” sipas të dhënave në bilancin e dorëzuar në QKB rezulton se ka rritur ndjeshëm aktivitetin më 2015. Gjatë vitit të kaluar, shoqëria ka dyfishuar të ardhurat, duke i çuar ato në 312 milionë lekë nga rreth 162 milionë lekë që i kishte në vitin 2014.
“Taiwan” është një nga komplekset argëtuese më në zë të Tiranës. Me një sipërfaqe shërbimesh prej 10,000 metra katrorë dhe i vendosur në qendër të qytetit, ai përfshinë restorante luksoze, bare, bowling, zonë me video game, club e kazino. Qendra e argëtimit është e vendosur në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, duke qenë pjesë e qendrës së tij.
Kompania Taiwan Sh.p.k është nën pronësinë e biznesmenëve Besnik Sula (80%), Apostol Goci, (5%) Albano Aliko (5%) dhe Avni Braçaj (10%). Ajo ka aktivitet të deklaruar në shërbime hotelerike, bare, e restorante, shitje me shumicë e pakicë, administrimi i parkingjeve dhe tregtimi me pakicë i karburanteve. Sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, xhiroja e saj për vitin 2014 qe 131 milionë lekë (rreth 935 mijë euro). Por aksionet e aksionerit kryesor, Besnik Sula, janë shpallur nën sekuestro që nga korriku i këtij viti për shkak të një detyrimi të pashlyer prej 100 mijë eurosh borxhe.