BE i kërkon qeverisë shqiptare masa serioze në luftën kundër drogës

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç shprehet se çështja e drogës është marrë shumë seriozisht dhe se po bashkëpunohet me autoritetet shqiptare. Por sipas saj duhet bërë më shumë. Pyetjes së “ABC News” në sallën e shtypit të Komisionit Evropian lidhur me vazhdimin e kapjeve të sasive të mëdha nga shtetet anëtare të BE-së të lëndëve narkotike që vijnë nga Shqipëria, ku shifrat e fundit tregojnë për 1 avion të rrëzuar të destinuar për trafik droge më 15 shtator, një ton kanabis të kapur në brigjet italiane më 19 shtator dhe 812 kg marijuanë të kapur më 23 shtator, si dhe disa qindra kilogramë të kapur nga autoritetet greke, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç i është përgjigjur në një intervistë të veçantë.
– Duke parë që trafiku bëhet tashmë në rrugë detare, ajrore dhe tokësore, pyetja që shtrohet është sa e shqetësuar është Bashkimi Europian për këtë situatë. A mendoni se mesazhi juaj drejtuar autoriteteve shqiptare ka funksionuar, duke e parë që trafiku vazhdon?
Ne jemi në dijeni të kësaj situate specifike dhe shpresojmë që këto raste të ndiqen nga procese gjyqësore. Në vija të përgjithshme, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër trafikut të drogës është një nga prioritetet kryesore për Shqipërinë dhe Ballkanin. Kjo bën pjesë në prioritetet dhe ndiqet në mënyrë të rregullt. Ajo që ne si Bashkim Europian dhe si Komision Europian po bëjmë është që jemi në kontakt të rregullt me autoritetet shqiptare për këtë çështje. Ka një shkëmbim të rregullt midis delegacionit tonë dhe autoriteteve vendase. Janë bërë disa hapa në mënyrë që të sigurohet që puna që po bëhet në këtë drejtim të vazhdojë dhe që të shënohet progres. Theksoj se ka patur një mision të BE-së që ka ardhur në verë në Shqipëri me ekspertë nga institucionet e BE-së dhe nga shtete anëtare për të parë se si është situata në terren për këtë çështje. Dhe të dhënat që janë mbledhur do të reflektohen në progres raport, ku ju e dini që Komisioni Europian do të bëjë vlerësimin e nevojshëm. Ne japim gjithashtu një asistencë teknike specifike autoriteteve shqiptare për të siguruar që lufta kundër kësaj sfide shumë të madhe si trafiku i drogës të vazhdojë. Ne kemi parë disa hapa pozitive, por shumë mbetet për t’u bërë. Prandaj kjo vazhdon të mbetet një prioritet dhe prandaj vazhdojmë që të angazhohemi intensivisht me autoritetet.
– A i keni kërkuar specifikisht autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet për luftën ndaj trafikut të drogës?
Ky është një angazhim që është marrë nga autoritetet shqiptare dhe është gjithashtu një prioritet. Shpresoj se sqarova qartë, se sa seriozisht është marrë dhe sa seriozisht jemi duke punuar me autoritetet shqiptare për trajtimin e kësaj çështjeje. Kjo është shumë e rëndësishme për Bashkimin Europian, për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. Mendoj, se puna jonë është reflektuar gjatë muajve të fundit edhe me aprovimin e reformës së gjyqësorit, një hap i rëndësishëm për të siguruar që vendi të ketë një sistem drejtësie me standarde të larta.
– Ju përmendët me të drejtë reformën e gjyqësorit. Ka patur kaq shumë presion direkt, indirekt, fjalime, punë teknike dhe negociata politike për të arritur aprovimin e kësaj reforme me unanimitet. Dhe ka shumë në Shqipëri që shtrojnë pyetjen, si ka mundësi që për reformën në drejtësi pati kaq shumë presion dhe kur bëhet fjala për fakte konkrete të kapjes pothuajse çdo javë së tonelatave të kanabisit e lëndëve të tjera narkotike që vijnë nga Shqipëria nga autoritetet italiane, por edhe greke që kanë kosto konkrete për shtete anëtare, ju jeni shumë të kursyer në fjalë?
Nuk jam dakord me pyetjen tuaj. Mendoj, se ne kemi qenë ekstremisht seriozë me autoritetet shqiptare. Sigurisht që ka patur një punë shumë të madhe për reformën në drejtësi, pasi kjo është një nga reformat kyçe që ka ndërmarrë vendi dhe tani pas aprovimit është e rëndësishme që kjo reformë të zbatohet, që të përkthehet nga legjislacioni në jetën reale. Impakti i kësaj reforme do të ndjehet më pas, pasi kjo shkon dorë për dore me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ditur që për të luftuar në mënyrë efikase këto fenomene duhet një sistem drejtësie i pavarur, efikas dhe profesional. Pra, ne jemi duke punuar me autoritetet shqiptare që të avancojmë në këtë drejtim.