Balili feston me kreun e PS në dasmën e drejtorit të Transporteve

Klemend Balili i pagëzuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” shëtit i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ekziston një urdhër-arresti nga policia greke. Burime të sigurta të “Lapsi.al” tregojnë se mbrëmë Balili ka festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë. Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që e mbante Kel Balili përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke si kreu i një bande që trafikonte drogë në Evropë. Por lidhjet nepotike shkojnë edhe më tej, drejtori i Transporteve është gjithashtu edhe nipi i bashkëshortes së Klemend Balilit.  Por më e rëndë në këtë situatë është fakti që policia shqiptare, e cila ka për detyrë të arrestojë Klemend Balilin për llogari të palës greke që e ka shpallur në kërkim, nuk po e bën këtë gjë. “Eskobari i Ballkanit” shëtit i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Burime të sigurta të “Lapsi.al” japin edhe një detaj tjetër nga dasma e mbrëmshme në resortin luksoz të Balilit. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi. Me këtë të fundit është çuar edhe disa herë në valle dhe ka festuar deri në mëngjes. Dino Selimi mban postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.  “Lapsi.al” u interesua nëse Klemend Balili është ende në kërkim nga policia shqiptare. Burimet thanë se urdhri i arrestit ka afat 30-ditor dhe se qëllimisht policia shqiptare nuk e ka përtërirë, edhe pse e ka për detyrë të bëjë diçka të tillë. Policia shqiptare ka detyrimin ta arrestojë Klemend Balilin për llogari të palës greke, e cila e ka ende në kërkim. Emri i Balilit doli në skenë nga autoritetet greke, pas një operacioni të gjerë antidrogë. Ai përmendet si financuesi i një rrjeti kriminal që trafikonte drogë në vende të ndryshme të Evropës. Në raportimet e para “CNN” grek e pagëzoi atë si “Eskobarin e Ballkanit”, ndërsa theksonte lidhjet e tij të fuqishme politike në Shqipëri që e mbronin në aktivitetin e tij kriminal në trafikun e drogës.

Lapsi.al