Balili drejton trafikun e drogës nga shtëpia e tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një foto dhe një mesazh të një qytetari dixhtal, ku shfaqet Klement Balili, i quajtur “Eskobari” i Ballkanit me nipërit e tij, një prej të cilëve mbahet si peng për të siguruar transportin e drogës. “Denis Balili zakonisht rri peng tek blerësit e drogës deri në momentin kur transporti ka përfunduar”, shkruan qytetari nga Saranda. Ndonëse është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, “Eskobari” i Ballkanit qëndron në shtëpinë e tij pa patur asnjë problem nga policia.
“Në shtabin e Eskobarit të Ballkanit! Qytetari dixhital dërgon: Foton e fillimit të kësaj jave të Eskobarit të Ballkanit dhe lejtnantëve të tij në strofullën e tij në Sarandë, korrierit, pengut etj., etj! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Saranda.
“Përshëndetje doktor, po ju dërgoj foton e kësaj jave nga strofulla e balilajve. Lutem anonimatin. Këta në foto janë, në mes Kel Balili, djathtas Rigers Balili, kryetari i Bashkisë Delvinë (nuk jam i sigurtë), majtas nuk ja di emrin, por është korrier i Kelit. Tjetri në fund majtas është Denis Balili. Ky zakonisht rri peng tek blerësit e drogës deri në momentin, kur transporti ka përfunduar. Metodë kjo kolumbiane për të garantuar siguri dhe besueshmëri tek blerësit. Lutem anonimatin”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Klement Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, por ai shëtit i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri. Në media janë publikuar vazhdimisht foto të tij gjatë verës. Fillimisht u publikua një foto ku dukej Balili në skafin e tij luksoz në detin Jon, ndërsa tre javë më parë, ai u fotografua në një dasëm në qytetin e Sarandës. Balili ka festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë. Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që e mbante Kelment Balili përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke, si kreu i një bande që trafikonte drogë në Evropë. Drejtori i Transporteve është gjithashtu edhe nipi i bashkëshortes së Klement Balilit.
Por më e rëndë në këtë situatë është fakti që policia shqiptare, e cila ka për detyrë të arrestojë Klement Balilin për llogari të palës greke që e ka shpallur në kërkim, nuk po e bën këtë gjë. “Eskobari i Ballkanit” shëtit i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Lapsi.al publikoi një shkrim ku thuhej se, gjatë gjithë kohës në dasmë ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi. Me këtë të fundit është çuar edhe disa herë në valle dhe ka festuar deri në mëngjes. Dino Selimi mban postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.
Policia shqiptare ka detyrimin ta arrestojë Klement Balilin për llogari të palës greke, e cila e ka ende në kërkim. Emri i Balilit doli në skenë nga autoritetet greke, pas një operacioni të gjerë antidrogë. Ai përmendet si financuesi i një rrjeti kriminal që trafikonte drogë në vende të ndryshme të Evropës. Në raportimet e para “CNN” grek e pagëzoi atë si “Eskobarin e Ballkanit”, ndërsa theksonte lidhjet e tij të fuqishme politike në Shqipëri që e mbronin në aktivitetin e tij kriminal në trafikun e drogës.
Gazeta më e madhe në Greqi, “Kathimerini” shkruante para një jave se, ish-drejtori i Transporteve në Sarandë, Balili vazhdon të bëjë jetë luksoze, pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Klement Balili që prej muajit maj të këtij viti është shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në Evropën Qendrore dhe Evropën Perëndimore.