ARMO fillon punën, kreditorët kërkojnë milionat në përmbarim e ankand

Teksa u njoftua se rafineria problematike e naftës, ARMO, filloi nga puna më 1 shtator, kreditorët kanë vërshuar në përmbarim për të mbledhur detyrimet që u ka kjo kompani. Kompani nafte, por edhe banka, kërkojë kthimin e detyrimeve apo dhe shitjen e aseteve të lëna peng, me qëllim rikuperimin e një pjese të kredive e borxheve që u ka ARMO.
Më 7 shtator, zyra përmbarimore Kodra Bailiff Service ka kërkuar për llogari të tregtuesit të naftës FIT-MEK-OIL ekzekutimin e titullit ekzekutiv në mënyrë vullnetare për shlyerjen e detyrimit kundrejt palës kreditore prej rreth 1.28 miliardë lekë (rreth 9 milionë euro). Titulli ekzekutiv bazohet në një deklaratë noteriale të marsit 2014. ARMO ka 10 ditë kohë për të bërë derdhjen e detyrimit, përndryshe kalohet në ekzekutim të detyrueshëm.
Edhe Tirana Bank, ka depozituar përmes Shoqërisë Përmbarimore TDR Group, shpalljen në ankand të një sërë pasurive të ARMO, si një truall prej 28 mijë metra katrorë dhe dega e shpërndarjes së karburantit me sipërfaqe 1600 m2, në Lagjen “1 Maji” në Fier, me një çmim prej rreth 96 milionë lekësh. Ankandi zgjat deri në datën 20 shtator. Kërkesa e Tirana Bank ka ardhur pasi ARMO, me dorëzanës “Anica mercuria refinery Associated” dhe “Deveron Oil Albania” nuk ka kthyer kreditë dhe shtojcat e kredisë përgjatë viteve 2013-2015.
Disa muaj më parë, Raiffeisen Bank nuk arriti të shesë në dy ankande pasuritë e nxjerra në shitje për një kredi të papaguar nga ARMO prej rreth 20 milionë euro.

Rivënia në punë e ARMO

Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është kompania që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga qeveria shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesën e prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol.
Nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO.
Rafineria ARMO, është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.