Amullia që krijoi ligji për Arsimin e Lartë

392

Fabian Topollaj

Pothuaj asnjë maturant nuk rezulton fitues në universitet…. Amullia që krijoi Ligji për Arsimin e Lartë sa i përket pranimeve në universitetet dhe mungesa e akteve nënligjore, ka prodhuar sot një skandal të jashtëzakonshëm me maturantët që presin rezultatet e pranimeve në universitet. Së pari, mungesa e një sistemi meritë preferencë për institucionet e Arsimit të Lartë publik, ka bërë që çdo fakultet të shpallë fituesit e tij në mënyrë të pavarur dhe kësisoj të rezultojnë njëkohësisht fitues në të gjitha fakultetet vetëm një grup i njëjtë nxënësish, ata më të mirët, më të shkëlqyerit, për shkak se ata kanë aplikuar në të gjitha fakultetet në të njëjtën kohë.
Por pavarësisht se fitues në shumë fakultete, ata do të zgjedhin vetëm një prej tyre, duke krijuar kështu shumë vende bosh dhe për këtë arsye rrezikohet që të ketë me dhjetëra faza pranimi, sepse e njëjta gjë do të ndodhë shumë herë, duke e bërë procesin jo vetëm të lodhshëm, por dhe krejt të pabesueshëm. Me sa duket, e gjitha kjo bëhet që konkurentët të panikuar që spo mund të fitojnë në fakultetin që dëshirojnë për shkak të amullisë që vjen nga mungesa e një sistemi të shpërndarjes së tyre sipas meritës dhe preferencës, të vënë me vrap në privat, i cili të regjistron menjëherë, pavarësisht pikëve që ke marrë nga formula e Maturës Shtetërore, mjafton të kesh mesataren e 3 viteve mbi 6.
Së dyti, çdo fakultet (të paktën në Universitetin e Tiranës që është dhe më i madhi) vlerëson me 10% të pikëve për pranim, një grup lëndësh me zgjedhje që nxënësi përzgjedh si lëndë opsionale në vitin e fundit të maturës. Çdo fakultet vlerëson me 10% të pikëve për pranim vetëm disa prej lëndëve me zgjedhje që ka përcaktuar vetë nxënësi në nisje të vitit shkollor. Por e çuditshmja është se fakultetet kanë përcaktuar grupin e lëndëve që do të vlerësojnë me 10% vetëm, pasi nxënësit i kishn zgjedhur më parë lëndët në maturë. Dhe tani kanë vendosur që nqs kandidati për student nuk ka rastisur të ketë zgjedhur një nga lëndët e kërkuara nga fakulteti, ai të mos vlerësohet fare me 10% e komponentit të lëndës me zgjedhje në atë fakultet, duke ja bërë në këtë mënyrë pothuaj të pamundur kandidatit të fitojë në fakultetin që dëshiron, në rast se ndodhet në këtë situatë që s’varet prej tij. Për këtë të fundit kandidatët as që kanë informacion fare.
Kjo amulli e shkaktuar nga injoranca ekstreme e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe këto rregulla absurde që janë marrë për vlerësimin e konkurentëve për në universitete, cenojnë disa parime të shtetit të së drejtës dhe janë shembulli më i mirë se në Shqipëri punët sa vijnë dhe bëhen dhe më mbrapsht.