Afera me ARMO-n, Rama ia dhuroi Besnik Sulës

Çështjen e privatizimit të rafinerisë së naftës në Ballsh, një aseti të rëndësishëm të kompanisë ARMO, opozita e dërgoi në parlament. Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se, përmes aferash korruptive ia dha këtë kompani biznesmenit Besnik Sulaj, pa paguar asnjë lek. Ai tha se Rama punon nga mëngjesi në darkë me të gjithë fuqinë e ekzekutivit, për interesa të këtij biznesmeni, për të cilin u shpreh se rafinerinë e Ballshit e ka marrë edhe përmes kërcënimesh. “Një javë më parë, bandat kapën në mes të rrugës një biznesmen, i cili do të investonte qindra milionë euro në turizëm. A e dini ju se muaj më parë, një biznesmen tjetër ka denoncuar Besnik Sulën, kryemafiozin, se e ka kërcënuar me jetë, nëse një miliarder tregon interes për Ballshin? Çfarë përgjigje dha zotëria në Parlament në atë kohë? Nuk e mohoi dot dhe tha “pse ministër i Brendshëm jam unë”. Përgjigjja tjetër më vonë ishte që i dha rafinerinë e Ballshit, së bashku me vëllanë e vet, duke shkelur çdo lloj rregulli, e duke vjedhur në mënyrë monstruoze një pasuri, duke bërë aferat më të ndyra. A e dini se çfarë fshihet pas 37 milionshit të Bankers? Një e drejtë e pamohueshme e ndërmarrjes. A e dini që nuk po e apelon qeveria? Veprimi ndaj Bankers ishte veprim arbitrar, zuzar, ju i tatuat naftën që injektonte në tokë dhe ajo nuk tatohej në asnjë vend. Bankers fitoi, ndërsa ju futët bishtin ndër shalë dhe nuk e apeloni, duke thyer kështu çdo rregull. Një qeveri është e detyruar ligjërisht të apelojë, po keni gjetur Himcën që sillet si marionetë, që s’njeh ligj dhe asgjë dhe ju veproni në këtë mënyrë. Po pse? Sepse është Besnik Sula dhe Edi Rama në mes. Sepse nuk bëhet asgjë tjetër veçse punohet nga mëngjesi deri në darkë me fuqinë e ekzekutivit për interesat e tij. Dhe tani droga është kthyer në një minerë me flori e zyrtarëve kanabistë, të partisë kanabiste, të qeverisë kanabiste”, u shpreh Berisha.  “Këtu keni qenë kur sivëllau i tij, në atë kohë njeriu më i afërt, bënte thirrje në të gjithë Shqipërinë që të legalizohej kanabisi. Ne e quanim këtë thirrje, pikërisht për këtë që po ndodh sot. Në të vërtetë, ai zbatonte verbërisht porositë e këtij (Ramës). Tani i shatë duart, e përcollët dhe poshtërsisht shkoni thoni se ndërhyri Berisha në Gjykatën Kushtetuese. Unë i them atij këtu dhe çdo shqiptari se, Sali Berisha bën vetëm një betejë, betejën politike, por kurrë ndonjëherë betejë tjetër nuk ka bërë dhe nuk bën. Kështu që Koços mund t’ja faktojë shumë mirë që ja bëtë ju gropën. Mos mendoni se kam keqardhje, unë nuk merrem kurrë më me të, se nëse jam marrë me të, e kam bërë për shkak të përfitimeve nga Edi Rama, nëse merrem me të e bëj se vjedh shqiptarët me tenderat e Ramës. Unë nuk merrem me biznesmenin, merrem me atë klientelë kriminale si puna e atij (Sadri Abazi) që fiton 86 tendera dhe i shkatërron të gjithë të tjerët. Apo si puna e atij tjetrit, që çon sms dhe kërcënon me jetë investitorët e huaj për të marrë me Ramën Uzinën e Ballshit apo si puna atij tjetrit që mban në të zezë uzinën e Fierit, për të cilin Brisi ka dhënë porosi kategorike që të mos kontrollohet. A e dini ju që ajo është pronë e ARMO-s dhe ARMO është ndërmarrje e falimentuar, dhe ky për të fshehur fitimet paraqet sikur nuk punonte dhe mban në të zezë 150 punëtorë”, tha Berisha ndër të tjera.