200 mijë lekë për zhbllokimin e një biznesi, arrestohet inspektori i AKU

Një inspektor i Drejtorisë Rajonale të Ushqimit në Tiranë përfundoi në prangat e policisë me vendim të Gjykatës, ndërsa një i dytë është shpallur në kërkim. Ata akuzohen se kanë përfituar rreth 20 000 lekë të reja me qëllimin që të zhbllokonin një biznes peshku.
Në pranga përfundoi inspektori, Indrit Korbi, 37 vjeç, ndërsa policia ka shpallur në kërkim 33- vjeçarin me iniciale E.B, lindur në Gjilan dhe me detyrë inspektor në Drejtorinë Rajonale të AKU-së.
Ata akuzohen për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Dy inspektorët u filmuan nga kamerat e emisionit investigativ Fiks Fare, duke kërkuar ryshfet në mënyrë që të zhbllokonin aktivitetin e një biznesi të vogël peshku.
“Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si inspektorë në Drejtorinë Rajonale Tiranë të AKU (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, dyshohen se kanë ushtruar presion për një kohë të gjatë, i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 20.000 lekë të reja një subjekti privat për zhbllokimin e aktivitetit të tij, të bllokuar disa muaj më parë nga AKU – Drejtoria Rajonale Tiranë”, sqaron policia.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Indrit Korbi (i ndaluar) dhe E.B (në mungesë), për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, kryeregjistruesi i Beratit është shkarkuar nga detyra pas padisë së KLSH. Bëhet e ditur se, Arben Baxhia, kryetari i ZRPP-së Berat është shkarkuar nga detyra për shpërdorim detyre pas kallëzimit penal ndaj tij dhe disa punonjësve të tjerë nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.  Shkarkimi është bërë nga Ministria e Drejtësisë pas raportit të KLSH të datës  9 shtator 2016 ku thuhet: “Kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më tepër nga sa përcaktuar në Ligj, duke lëshuar çertifikata mbi këto pasuri. Kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive në 20 raste dhe kanë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe tokë arë, pa patur aktin e marrjes së tokës në pronësi”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 189/1,  datë 12.02.2016,  ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Berat, për periudhën 01.01.2013- 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 70, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 189/7, datë 30.06.2016.