Përse Prokuroria ka kaq frikë të hetojë Veliajn dhe vrasjen e 17-vjeçarit?

Dy javë nga vdekja tragjike e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në Landfillin e Sharrës, Prokuroria vijon të heshtë. Ndonëse, Erjon Veliaj do të duhej të vihej nën përgjegjësinë ligjore nga organi akuzës në lidhje me ngjarjen tragjike, deri tani ky institucion refuzon të reagojë. Partia Demokratike publikoi dje me zë dhe me figurë, thirrjen e Erion Veliajt drejtuar qytetarëve nga Landfilli i Sharrës, ku i ftonte ata të shkonin e të punonin në Landfill ndërsa “certifikonte”  kushtet e punës aty.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma  publikoi dje videon në fjalë ku dëshmohej se si Veliaj u bënte thirrje qytetarëve që të nisnin punën në kushte totalisht të paligjshme.
Dëgjojeni pak thirrjen publike të këtij që sot hesht, censuron mediat e që po bllokon zbardhjen e të vërtetës për aferën e madhe kriminale e korruptive të landfillit të Sharrës.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e Bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”.
Këtë thirrje ka bërë Erjon Veliaj më 16 mars të këtij viti. Pra, lini punën e paligjshme dhe hajdeni në landfillin e Sharrës.
Ardit Gjoklaj e shumë të tjerë iu përgjigjen kësaj thirrje. Po ajo çfarë gjetën atje, ishte një mashtrim i madh i Erion Veliajt.
Vdekja e Arditit dhe investigimi më tej nga disa media tregoi se landfilli i Veliajt dhe partnerit të tij, kryetarit socialist të Peqinit, që nuk i dorëzohet drejtësisë, ishte një ferr paligjshmërie.
Të mitur, burra e gra që punonin të pasiguruar. Shfrytëzoheshin deri fëmijë 10 vjeç. Shfrytëzoheshin me tri turne, në atë punë të rëndë e sfilitëse, për fare pak lekë. Me këtë thirrje publike, Erion Veliaj e çoi drejt vdekjes Arditin. Ai është padyshim përgjegjësi kryesor, jo vetëm se administron landfillin që është biznesi i tij, por sepse i garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri. Me fjalën e tij shkuan të punonin hallexhinjtë, që u kthyen në skllevër” tha Duma.
Ndërsa denoncoi kushtet çnjerëzore të punës në Landfillin e  Sharrës, Duma i bëri thirrje edhe njëherë Prokurorisë të mos heshtë por të veprojë në respekt të ligjit për të vënë Veliajn dhe autorët e tjerë para përgjegjësisë ligjore.
“Çfarë pret Prokuroria të marrë në ndjekje penale Erion Veliajn? Pse Erion Veliaj qëndron mbi ligjin? Pse hesht e nuk ka thënë asnjë fjalë prej 2 javësh për ngjarjen e rëndë? Pse i bën mediat të heshtin dhe mediat kombëtare madje që hiqen si të pavarura?
Partia Demokratike do të kërkojë deri në fund drejtësi për Arditin dhe drejtësi për Arditin do të ketë, sado të përpiqet Erion Veliaj ta mbyllë këtë krim” tha Duma në deklaratën e saj.

A po hetohet kompania e kryetarit të PS në Peqin?

Kompania private “3R” që menaxhonte landfillin e Sharrës ka patur vetëm 76 persona të punësuar të regjistruar në këtë aktivitet.
Një burim i rezervuar zyrtar pranë Ministrisë së Punës, konfirmoi për “HashtagAL” se, subjekti ka gjithsej 94 punëmarrës të regjistruar: 76 në Sharrë dhe 18 në adresat e tjera ku kompania ushtron aktivitetin. “Subjekti ‘3R’ ka 94 punëmarrës gjithsej. Adresë kryesore ka Peqinin. 76 punëmarrës janë të deklaruar nga subjekti të punojnë në landfillin e Sharrës”, konfirmoi burimi në Ministrinë e Punës.
Por më 16 mars të vitit 2016 Erion Veliaj deklaronte publikisht:
“Më vjen mirë që ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë me një konvojer tjetër për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pafund njerëz që realisht duan të punojnë. T’ju paguhen sigurimet shoqërore dhe të kenë një rrogë dinjitoze”. Në këtë mënyrë, kryetari i Bashkisë së Tiranës konfirmonte se në landfillin ku ky institucion është bashkëpronar, janë të punësuar të paktën 200 punonjës. Por zyrtarisht janë vetëm 76. Mungojnë 124 vetë, të cilët dyshohet të kenë qenë punonjës pa siguracione, shumica e tyre të mitur.
Zyrtari i Ministrisë së Punës i kontaktuar nga “HashtagAL” refuzoi të komentonte nëse kjo ministri kishte nisur ndonjë hetim administrativ mbi punësimet në landfill. Bashkia e Tiranës nuk ka bërë ende asnjë deklaratë zyrtare ku ajo të informonte për të dhënat që dispononte mbi numrin e të siguruarve apo të punësuarve apo mbi masat që do të merrte në vazhdim pas publikimit të skandalit. E kundërta ka ndodhur. Një ekip prej disa dhjetëra gazetarësh të atashuar apo të punësuar pranë Bashkisë së Tiranës po përpiqen të shpërndajnë nëpër redaksi shkrime promovuese për Erion Veliajn dhe kanë ndërprerë çdo komunikim me median të interesuara për informacione për landfillin e Sharrës.
Armand Shkullaku, editor i faqes “Lapsi.al” dhe drejtor informacioni në “ABC News” e konsideron këtë situatë imuniteti të Veliajt ndaj mediave si të paprecedent. Shkullaku shkon më tej, kur thotë se kjo situatë e zaptimit të mediave nga Erion Veliaj meriton një investigim më vete. Për cilën situatë bëhet fjalë? Gazetarja Alida Tota u pushua nga puna pas investigimit mbi situatën në landfillin e Sharrës dhe një shkrim vijues i gazetares Lindita Çela në agjencinë “BIRN” u censurua nga pjesa dërrmuese e mediave. “HashtagAL” verifikoi edhe deklarimet e kompanisë “3R” në vitet 2014-2015. Kjo kompani ka paguar për sigurimin e punonjësve në vitin 2015 rreth 780 mijë lekë. Praktikisht, rreth 65 mijë lekë në muaj. Në atë kohë, kompania punonte në aktivitete të tjera. Landfilli i Sharrës filloi punë në shkurt të vitit 2016.