Vrasja e Gjoklajt, përse Prokuroria vonon hetimin?

Partia Demokratike i ka kërkuar dje Prokurorisë të mos vonojë hetimet dhe  thërrasë Erjon Veliajn nën hetim për ngjarjen tragjike të humbjes së jetës së 17 vjeçarit, Ardit Gjoklaj për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në landfillin e Sharrës.  Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Mimoza Hajdarmata deklaroi se organi i akuzës duhet të marrë Veliaj nën përgjegjësi penale.
“Të gjitha dëshmitë që kanë dalë në media, të punonjësve të landfillit, të familjarëve të tyre, tregojnë se ishte thirrja e Erion Veliajt që i bëri të shkonin e të punonin aty.
Erion Veliaj me thirrjen që bëri në televizione, premtoi punë të sigurt e kushte teknike të garantuara.
Këtë thirrje dëgjoi edhe Arditi 17 vjeç, por gjithçka rezultoi një mashtrim.
Mashtrim i Erion Veliajt që për fat të keq Arditit i mori jetën.
Është zbuluar se jo vetëm nuk kishte asnjë parametër teknik e sigurie në landfillin e Veliajt, në biznesin e tij me kreun peqinas të PS-së, por aty shfrytëzoheshin barbarisht çdo ditë, të mitur e gra me tri turne për fare pak lekë” tha Hajdarmata.
Deputetja demokrate theksoi se Veliaj është i implikuar në këtë aferë po aq sa edhe përgjegjësi direkt që rekrutonte punonjësit në landfill.
“Pagesa ishte qesharake, ndërkohë që të rinjve, të miturve, burrave dhe grave u merrej fryma në atë punë të rëndë, në atë biznes fitimprurës për Veliajn dhe partnerin e tij Teqja, i shpallur në kërkim nga policia.
Të gjitha këto rrethana e nxjerrin Erion Veliajn njësoj përgjegjës e njësoj fajtor sa ata që direkt në landfill merrnin në punë të mitur e nuk garantonin kushte.
E nxjerr fajtor Veliajn thirrja e tij publike për rekrutim në atë aferë kriminale, thirrje që solli vdekjen e 17-vjeçarit” u shpreh deputetja demokrate.
Hajdarmataj i bëri thirrje organit të  akuzës të mos vonojë hetimin, ndërsa tha se PD do të bëjë gjithçka  për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike.
“Çfarë pret Prokuroria që të thërrasë Veliajn e ta marrë atë nën përgjegjësi penale. Ky falsifikator, hajdut, i korruptuar që mbledh të mitur në biznesin e tij, ku rezulton që mund të humbësh dhe jetën, pse qëndron mbi ligjin?
Çfarë duhet të ndodhë tjetër që ky mashtrues që shet për punë të mirë e të sigurt një ferr paligjshmërie ku humb jetën një 17-vjeçar, të mbajë përgjegjësi e të dalë para ligjit?
Erion Veliaj është sot pa asnjë dyshim përgjegjësi kryesor për humbjen e jetës së Arditit.
Nëse Prokuroria vonon hetimin e ndjekjen e tij penale, për fat të keq bëhet pjesë e padrejtësisë.
Partia Demokratike do të qëndrojë fort tek kjo çështje, ne do të bëjmë gjithçka që të zbardhet e plotë ngjarja e të përgjigjen para ligjit ata që e shkaktuan dhe e çuan drejt vdekjes Arditin” tha deputetja demokrate.

Rroga e fundit për Arditin

Pak ditë pas varrosjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, vëllai i tij i madh u rikthye në landfillin e Sharrës. Me trupin e imët dhe me sy të skuqur nga lotët, Ardiani, 19 vjeç, i kërkoi rojes ta lejonte të shkonte në zyrën e financës së kompanisë “3R”; lajmi për shpërndarjen e rrogave të muajit korrik e shtyu atë sërish drejt vendit të tragjedisë. Në zyrën e financës, Ardianit i vunë përpara borderonë me emrat e rreth 215 punëtorëve. Ai i tha “BIRN” se gjeti mes tyre emrin e të vëllait, hodhi një firmë krah tij dhe punonjësja i la në dorë 23 mijë lekë- pagesa e dyzet ditëve punë që Arditi kish kryer në landfill para se të masakrohej për vdekje mes plehrave. “I mora, pse t’ua lija atyre?! Im vëlla u vra për ato para. Të punoje mes plehrave nuk ishte e lehtë. Unë nuk ia dola dot”, thotë i pikëlluar Ardian Gjoklaj për “BIRN”. Trupi i Ardit Gjoklajt u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17-vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic.

Landfilli i vdekjes, mëngjesi i fundit i 17-vjeçarit, Gjoklaj

Gazetarja e “BIRN” ka zbuluar dëshmi të reja të minutave të fundit në landfillin e vdekjes të 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj. Në orën 3 të mëngjesit, 17-vjeçari i kishte kërkuar leje një prej punonjësve të landfillit nëse mund të ushqehej në kamionçinën e tij. Ka qenë mëngjesi i fundit i Gjoklajt, pas të cilit ai u masakrua nga makineritë e vdekjes së këtij landfilli. Ndonëse kanë kaluar tre javë nga masakra Bashkia hesht dhe censuron mediat që pasqyrojnë të dhëna ndaj kësaj vrasje.
Bashkia e Tiranës nuk është i vetmi institucion që i është shmangur debatit që pasoi vdekjen e Ardit Gjoklajt. Stafi teknik i kompanisë “3R” shpk, i ndaluar nga policia u përpoq gjithashtu të shmangte përgjegjësinë, duke deklaruar se nuk e njihnin si punëtor 17-vjeçarin e vdekur në landfill.
Të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë se Bujar Daja, ekonomist i kompanisë dhe Astrit Shehu, përgjegjës i turnit të dytë kanë deklaruar para prokurorëve se “nuk kishin dijeni se Ardit Gjoklaj ishte punonjës i kompanisë”. Në dëshmitë e tyre, ata kanë sugjeruar se, “trupi i tij mund të ishte hedhur aty nga ndonjë kamion plehrash gjatë natës”.
Por dëshmitë e tyre hidhen poshtë nga një punonjëse 28-vjeçare, edhe ajo nga Kombinati- e fundit që e ka parë të gjallë Arditin natën e 6 gushtit. Zyrie Bilali, nënë e katër fëmijëve i tha “BIRN” se atë natë ishte rrebesh, por puna në landfill vazhdoi me të njëjtin ritëm.
“Shkrepëtimat të kallnin datën, ndërsa nuk kishte drita. Rreth orës 3 të mëngjesit kishim orën e pushimit dhe Arditi më kërkoi leje nëse mund të hante bukë te kamionçina ime”, kujton Bilali.
“Atje nuk ka asnjë vend ku mund të hash bukë apo të ndërrohesh, ndaj herë pas here rahmetliu më kërkonte të hante bukë aty”, shton ajo.
Zyrie Bilali i tha “BIRN” se edhe pse punonin në fushë të hapur, puna nuk ndërpritej kur kishte mot të keq. Përgjegjësi i turnit, sipas saj, caktonte detyrat për gjithsecilin dhe tregohej i rreptë me këdo që ndalonte punën.
Gruaja nga Kombinati qëndroi me Ardit Gjoklajn rreth gjysmë ore, ndërsa në 3.30 të mëngjesit përgjegjësi Dëfrim Hakrama u kishte përcaktuar vendet e reja të punës.
“Tha se për shak të shiut të rrëmbyeshëm nuk do të punonte njeri tek lopata. Do të punohej vetëm tek transportieri i vjetër. Arditin e caktoi tek kanaçet, që janë tek kontenierët e fundit në landfill”, tha ajo.
Më pas, askush nuk e ka parë të gjallë Arditin.
Prokuroria akuzon si autor të ngjarjes shtetasin Edmond Kallari, drejtues i fadromës në landfill. Ai akuzohet për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i Kodit Penal, ndërsa gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për përgjegjësit e turneve, Dëfrim Hakrama dhe Besnik Braha.