Usain Bolt, i pamposhturi kërkon të jetë një ikonë si Muhamed Ali

Vrapuesi xhamajkan Usain Bolt siguroi një medalje tjetër të artë olimpike, duke fituar garën prej 200 metrash, që ai thotë se do të jetë e fundit në këtë distancë që ai bën në lojërat verore.
Koha prej 19.78 sekondash që atij iu desh të përshkonte 200 metrat në Rio ishte më shumë se gjysmë sekonde më e gjatë sesa rekordi i vendosur prej tij, por gjithsesi afro një çerek sekonde përpara Andre de Grasse-t nga Kanadaja që doli në vend të dytë.
Pas garës, Bolt tha se ishte i kënaqur me medaljan e artë, por se do të kishte dashur të vraponte më shpejt.
Bolt ka fituar deri tani tri medalje të arta në këto lojëra. Ai synon fitoren e tretë radhazi në stafetën 4×100 me ekipin e tij nga Xhamajka.
Po të enjten, amerikani Ashton Eaton mbrojti titullin e tij olimpik në dekathlon, duke lënë pas francezin Kevin Mayer. Eaton mban rekordin botëror për këtë garë që është vendimtare për të përcaktuar vrapuesin më të mirë të botës në të gjitha disiplinat.
Amerikanët fituan tri medalje të tjera në atletikë. Delilah Muhammad u bë e para atlete femër amerikane që fiton garën 400 metra me pengesa. Kerron Clement fitoi garën 400 metra me pengesa për meshkuj dhe Ryan Crouser vendosi një rekord olimpik në hedhje gjyleje për meshkuj me një distance prej 22.52 metrash.
Jordania fitoi për herë të parë një medalje olimpike me Ahmad Abughaushin në taekwondo në kategorinë 68 kilogramë.

I kam dëshmuar botës se jam më i miri

Ai që bëri historinë, Usain Bolt, ka thënë se e meriton të jetë në mesin e sportistëve më të mirë të të gjitha kohërave, pasi ka fituar medaljen e tretë olimpike në garën 200 metërshe.
Duke hyrë në histori me tetë medalje olimpike në vrapim, njeriu i cilësuar si më i shpejti në botë e ka dëshmuar se pse duhet të jetë në panteonin e heronjve të sportit bashkë me Pele, Muhammad Ali dhe notarin Michael Phelps.
“Po përpiqem të jem njëri ndër më të mirët. Të qëndroj përkrah Ali dhe Pele”, ka thënë ai disa sekonda pas fitores së garës 200 metërshe në olimpiadë.
“Mezi po pres të shoh se çfarë do të shkruani nesër”, ka thënë mbreti i sprintit në një konferencë për shtyp.
“Po pres të shoh se çfarë kanë për të thënë mediat dhe nëse do të më fusin në një vend me të mëdhenjtë e sportit”.
“Kam punuar për këtë moment gjatë tërë karrierës time. Po shpresoj se në të ardhmen do të lexoni për mua si njëri nga njerëzit më të suksesshëm në sport, nga më legjendarët, ky është fokusi im”, ka thënë Bolt.
“Ia kam dëshmuar botës se jam më i miri”, ka thënë ai duke tingëlluar sikurse Muhammad Ali.
Rio de Zhaneiro përjetoi shndërrimin e Usain Bolt nga superhero në legjendë. Atleti xhamajkan fitoi edhe garën e 200 metrave, që do të thotë medalja e artë numër dy në Rio dhe numër tetë nëpër olimpiada.
Ky ishte kulmimi i një sfide me veten për Bolt, sfidë që ka lindur në Pekin, në vitin 2008 dhe do të përfundojë me garën 4×100, aty ku Bolt dhe shokët e tij pritet të marrin medaljen e artë. Nëse merr të nëntën, Bolt do të barazojë Carl Lewis dhe Paavo Nurmi si atletët me më shumë të arta olimpike në histori.
Kur Bolt duket në tartan, ambienti transformohet, publiku bërtet siç nuk e ka bërë kurrë më parë për një atlet. Kjo e bën xhamajkanin unik. Fuqia e tij është aq e madhe, saqë kur vjen momenti i nisjes së garës, ai vë gishtin tregues në buzë dhe publiku i “Joao Havelange” i bindet menjëherë.
Dhe gara nuk ka histori, pasi Bolt është edhe më dominues në 200 metra sesa në 100. Vetëm pas 50 metrash, gara ishte në dorën e tij. 19.78 sekonda koha e Bolt. Askush tjetër nuk zbriti nën 20 sekondat, me kanadezin De Grasse (20.02) që doli në vend të dytë dhe francezin Lemaitre në vend të tretë (20.12).