Tenderi fiktiv me vlerë 7 milionë euro i OSHEE

Nuk ndalet babëzia e vjedhjes përmes tenderave në OSHEE. Një tender fiktiv prej 7 milionë eurosh është çelur së fundmi nga OSHEE me qëllim verifikimin e adresave të abonentëve. Ashtu si në shumicën e rasteve, edhe kësaj here, tenderi në fjalë është kryer në mënyrë fiktive pa asnjë garë e duke mos respektuar asnjë procedurë ligjore. Paratë që mblidhen nga populli, ky operator i bën “rrush e kumbulla”, duke bërë njëri pas tjetrit, tendera, me vlera të mëdha financiare. Investigimet e njëpasnjëshme kanë nxjerrë zbuluar institucionin e drejtuar nga Ardian Çela, i cili me “bekimin” e eprorëve të tij, ministrin Gjiknuri dhe Kryeministrin Rama, vazhdon të “prodhojë” para, kur jemi në vitin elektoral. “Boldnews.al” do të vazhdojë të denoncojë tenderët që kryen OSHEE-ja, ndërsa jemi ndalur sërish te skandali që publikuam pak ditë më parë, kur ky operator nxori fitues një konsorcium prej tri kompanish për verifikimin e adresave të abonentëve. Pritet që, gjatë 6 muajve të ardhshëm, të avullojnë plot 7 milionë USD, me justifikimin se duhen për të verifikuar abonentët derë më derë. Ky tender duket se ka qenë fiktiv, ashtu siç edhe denoncoi “Boldnews.al”, pasi nuk ka pasur garë. Nga njëra anë kanë qenë bashkimi i tri firmave dhe nga ana tjetër nuk ka pasur fare kundërshtar, aq sa firma që u regjistrua në këtë garë u tërhoq, duke dorëzuar para anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave një letër të bardhë, kur në fakt duhej të ishte vlera e ofruar. “Boldnews.al” ka investiguar edhe për kompanitë që kanë fituar këtë tender. Ato janë CSI-Piemonte, e cila është regjistruar në Itali. Mësohet se kjo kompani ka përvojë në Shqipëri, sidomos në fushën e regjistrimeve të pasurisë, ku së bashku me një kompani tjetër shqiptare kanë fituar një tender. Të dhënat e siguruara tregojnë se nga tre kompanitë fituese, vetëm kompania italiane plotëson disa kushte. Ajo do të marrë 80 për qind të vlerës së akorduar, ndërsa dy kompanitë shqiptare “Datech” dhe “Çelësi” kanë nga 10 për qind secila. Por, kompania italiane pritet që të kontraktojë kompani të tjera shqiptare, të cilave pritet t’u akordojë deri në 40 për qind të të gjithë fondit të fituar. Dhe pjesa tjetër, është fitim i pastër. Me vlerën e akorduar nga qeveria, prej 7 mln USD, ka për të tërë. Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se, përveç fitimit italian, zyrtarët që dyshohet se i kanë ndihmuar, kanë marrë pjesën e tyre në dy kompanitë shqiptare. Mësohet se firma “Datech” shpk ka punuar me shtetin vazhdimisht. Ajo ka marrë lekë nga Thesari i Shtetit, që nga viti 2013, kur dhe Rilindja erdhi në pushtet. Burime të konfirmuara thanë për “Boldnews.al” se, kompania është në pronësi të L.Basha, një i afërm me bashkëshorten e Kryeministrit Rama. Vazhdimisht, “Datech” ka fituar disa tendera, ndërsa merret me shitjen e pajisjeve kompjuterike dhe programeve informatike, si dhe bën mirëmbajtje rrjeti. Pas ndryshimit të qeverisë, sipas ekstraktit të saj në QKB, fitimi i është shumëfishuar, çka vërteton edhe lidhjet me Rilindjen. Pak muaj më parë, “Datech ka fituar një tender të majmë nga Hipoteka. Sipas dokumenteve që disponon “Boldnews.al”, kjo kompani ka marrë pjesë në prokurimin “përfundimi i procesit të Regjistrimit Fillestar në zonat kadastrale ku ka përfunduar faza e parë e procesit të RF në zbatim të projektit LAMP”. Mësohet se vlera totale e kontratës ka qenë rreth 1 milion USD. Ndërkohë, përveç habisë, kompania “Çelësi”, nuk ka punuar asnjëherë me shtetin. Në tender ka marrë pjesë edhe kompania “Fastech”, por u tërhoq nga gara. Ajo nuk paraqiti asnjë ofertë financiare. Megjithëse nuk fitoi, edhe kjo kompani është marrë me hipotekat, apo edhe me gjykatat e bashkitë. Dyshimi që të lind nga ky tender është se ka qenë i paracaktuar. Nga njëra anë u bashkuan tre kompani dhe “kundërshtari” i tyre nuk paraqiti ofertë. Dyshimet më të mëdha bien mbi OSHEE-në, pasi kompanitë private synojnë që të marrin fonde publike. Përgjegjësit e parë mund të jenë pikërisht vlerësuesit e ofertave, por edhe drejtuesit që i urdhëruan.