Tahiri-Bajrovic, lidhjet në krim

3281

Atentati i mbrëmjes së diel në Shkodër, i cili përfundoi me një të plagosur dhe 6 të arrestuar, implikon edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Në një konstatim të tillë arrin PD-ja, e cila bën të ditur se ajo ngjarje ka përmasa më të mëdha dhe më të rënda nga çfarë është bërë publike.
Sipas PD-së, Saimir Tahiri është përfshirë drejtpërdrejt në lehtësira që iu ka ofruar autorëve pas ngjarjes, si edhe në presionin ndaj organit të akuzës.
Për PD-së, ministri i Brendshëm është një shërbëtor i Behar Bajrit, njërit prej të akuzuarve dhe të ndaluarve për ngjarjen e të dielës mbrëma. Ngjarja e rëndë të dielën mbrëma në Shkodër, sulmi me armë zjarri në zemër të qytetit, ka përmasa edhe më tronditëse që po mbahen të fshehura.
Saimir Tahiri është përfshirë drejtpërdrejt që në momentin e parë në ofrimin e lehtësive për autorët, më kryesori Behar Bajri, një prej kokave të krimit në Shkodër, me dhjetëra precedentë penalë. Por falë punës energjike dhe profesionale të Prokurorisë, atentatorët janë ndaluar disa orë pas ngjarjes.
Tahiri vazhdon edhe sot t’i shërbejë Behar Bajrit, duke bërë të pamundurën për të lehtësuar rrethanat për autorët dhe duke ushtruar presion ndaj Prokurorisë.
Ky implikim i Tahirit është vërtetimi i radhës, i lidhjes së tij kokë e këmbë me krimin e me kriminelët më famëkeq në vend.
Këto akte kriminale në mbështetje të krimit dhe bandave janë një dëshmi tjetër se Edi Rama ka braktisur me kohë qytetarët.
Rendi dhe siguria publike nuk janë prioriteti i Edi Ramës. Për të prioritet është pakti me kriminelët dhe ndarja e pushtetit me ta.
Shqiptarët nuk mund ta pranojnë kurrë sundimin e krimit në vend të ligjit.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.

Atentati në Shkodër
Ngjarja e të dielës mbrëma në Shkodër, ku në qendër të qytetit pati shkëmbim me armë zjarri mes dy makinave duket se ka nxjerrë në pah të “fortët” e Shkodrës.
Nga hetimet e policisë rezulton se Donald Shtjefni, Kristian Shtjefni e Patrik Salaj, të cilët kanë qenë duke lëvizuar me automjetin “BMW X5”, me targë SB60 CEA dhe shtetasit Behar Brajoviç (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj, të cilët kanë qenë duke lëvizur me makinën “BMW” me targë AA 006 NL, në lagjen “Vasil Shanto”, kanë qëlluar kundrejt njëri-tjetrit me armë zjarri, pistoletë dhe automatik, ku nga ky shkëmbim zjarri ka mbetur i dëmtuar Donald Shtjefni, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
Për të ikur nga vendi i ngjarjes, Behar Brajoviç (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj janë drejtuar për në fshatin Golem të Shkodrës. Por, nga shpejtësia e madhe, makina me të cilin po udhëtonin ka dalë nga rruga.

Kush janë Behar Brajoviç (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri)?

Familja Bajri është bërë nga më të njohurat në Shkodër. Po t’i kujtoje dikujt pak kohë më parë mbiemrin Bajri, nuk do t’i vinte mirë. Bëmat e djemve dhe kushërinjve kishin bërë që ata të ishin “zotër” të qytetit të Shkodrës.
Behar Bajri, më datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur më datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobëvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Më datë 18.08.2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e Rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç.
Më datë 14.01.1999 në lagjen “Dobraç” të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Kamion” me targë të Vlorës.
Më datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Më datë 15.02.2001 në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, 39 vjeç  nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
Më datë 21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
Më datë 26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeç. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.
Ndërsa i arrestuari tjetër, Ilir Bajri akuzohet se më 4 gushtin e vitit 2006 ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve. Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë.
Autori kishte frekuentuar lokalin në Velipojë dhe në gjendje të pirë ka shkaktuar trazira në të. Kjo ka bërë që pronarët, djemtë e viktimës t’i kërkojnë Bajrit të mos vinte më në lokalin e tyre, pasi po u largoheshin klientët. Nga kjo, autori është ndjerë i fyer dhe ka shkuar në Shkodër, tek shtëpia e Pal Kosterit dhe pasi e ka thirrur atë të dalë jashtë, e ka qëlluar me armë. Bashkëshortja e viktimës i ka identifikuar autorët, të cilët i njihte dhe më parë.

Atentatorët të plagosur pas aksidentit

Zbardhet atentati me armë ku mbeti i plagosur shtetasi Donald Shtjefni. Janë vënë në pranga 6 persona dhe një tjetër është në kërkim. Sipas policisë, mbrëmjen e së dielës në orën 22:15 është njoftuar se në lagjen “Vasil Shanto” tek Hotel Rozafa janë dëgjuar krisma armësh.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur Shërbimet e Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Shkodër, të cilët kanë konstatuar se është plagosur shtetasi Donald Shtjefni dhe kanë bllokuar zonën përreth vendit të ngjarjes në bashkëpunim me forcat e FNSH-së, kanë ngritur dhe disa pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorëve.
Në orën 22:26 në fshatin Golem, Shkodër është njoftuar për një dalje nga rruga të një automjeti. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur Shërbimet e Policisë Rrugore, të cilët kanë konstatuar se ishte automjeti “BMW” me targë AA 006NL, në të cilën udhëtonin shtetasit Behar Brajoviç (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj.
Nga hetimet e para rezulton se Donalt Shtjefni, Kristian Shtjefni e Patrik Salaj, të cilët kanë qenë duke lëvizuar me automjetin “BMW X5”, me targë SB60 CEA dhe Behar Brajoviç (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj, të cilët kanë qenë duke lëvizur me autoveturën “BMW” me targë AA 006 NL, në lagjen “Vasil Shanto”, kanë qëlluar kundrejt njëri-tjetrit me armë zjarri, pistoletë dhe automatik, ku nga ky shkëmbim zjarri ka mbetur i dëmtuar Donald Shtjefni, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
Motivi i ngjarjes është një konflikt për motive të dobëta mes shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje i ndodhur pak orë para ngjarjes.
Ndërkohë Bledar Lekaj ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë kurse Behar Brajoviç (Bajri) dhe Ilir Rustemi (Bajri) ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, të cilët po marrin mjekimin e nevojshëm dhe ndodhen të tre jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga janë vënë:
Behar Brajoviç (Bajri), 36 vjeç, banues Shkodër (i dënuar më parë)
Ilir Rustemi (Bajri), 40 vjeç, banues në Shkodër, (i dënuar më parë)
Bledar Lekaj, 26 vjeç, banues në Shkodër (i dënuar më parë)
Donalt Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër
Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër
Patrik Salaj, 21 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë