Shtatori i fundit i Ramës në pushtet!

“Të jesh i bindur se nuk do marrësh asnjë votë nga Veriu me këto që bën, dhe ta dish mirë se ky është shtatori i fundit i yti në pushtet, ky është shtatori i fundit i Edi Ramës në pushtet!”

Ish-kryeministri Berisha paralajmëroi dje në Parlament se ky do të jetë shtatori i fundit i Ramës në pushtet. “Është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme kjo konferencë kur, në vetëdijen e çdo shqiptari emergjencë e emergjencave është shndërrimi i vendit të tyre në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan, duke filluar nga zonat më të thella të Alpeve, më të rrezikshëm, më të dëmshëm në këto vite, kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballet Shqipëria dhe shqiptarët.
Opozita ka luftuar shumë për standardet, siç e keni parë dhe prap opozita është e vendosur për të luftuar për asgjë tjetër veçse për standarde. Dhe këtu po prishet pikërisht, në mënyrë të verbër, ai konsensusi që është sanksionuar në Kushtetutë. Po nëse ne vendosëm nene në Kushtetutë se si do të bëjmë vettingun, po si do t’i thyejmë me ligj këto? Ju a doni të funksionojë reforma apo jo? Ne nuk po themi që të mos u përmbahemi ligjeve, ne po themi t’u përmbahemi amendamenteve, dhe amendamentet thonë se verifikimet i bën BKH, ndërsa ju tani na thoni se i bën sekretari organizativ i Edvin Ramës, në detyra të ndryshme. Po këta ishin, këta ishin deri tani dhe si ka penguar njeri të bëjnë detyrën, por ne në këtë reformë përcaktuam një mënyrë tjetër verifikimi dhe vettingu dhe për këtë ramë dakort dhe e votuam këtu. Tani ju pse e ndryshoni? Doni ta rrëzoni reformën? E rrëzoni shumë kollaj ne nuk tërhiqemi.
Ke bërë dy vjet përpjekje, dhe më vjen keq që të flas kështu, por t’i kemi thyer turinjtë siç e kemi dashur dhe prap do të t’i thyejmë turinjtë, ty, se i bën ti këto e jo të huajt. Kemi bërë dy vjet punë e ti rrëzojmë kështu? E kemi fiksuar në Kushtetutë që vettingun do e bëjë BKH. Hajdeni pra zotërinj që të bëjmë ligjin e BKH dhe të votojmë BKH dhe të bëjmë siç thotë reforma. Po tani vettingun doni ta bëni me sekretarin organizativ të Partisë Socialiste apo drejtorin e statutit të PS. Ju bëheni qesharakë. Kjo as që kalon, por dëmton reformën. Ka një ndërgjegje. Nuk jeni thyer nga ne ju, jeni thyer nga ato qeveri që kreu juaj ju thoshte se “i kam me vete”. Ai ju thoshte se i ka me vete dhe pas dy orësh merrte kartonin e kuq. Mos bëjmë pra gjëra qesharake. Kemi rënë dakort dhe e kemi sanksionuar në Kushtetutë hajdeni t’i përmbahemi Kushtetutës. Eshtë e vërtetë që ka defekte edhe materiale dhe defekte të tjera, po hajde t’i korrigjojmë e përmirësojmë, është në detyrimin tonë që të bëjmë që reforma të ketë sukses. Nëse ne e votuam me ndërgjegje reformën, nëse ne ishim të bindur se ky sistem do reformohet, hajdeni t’i qëndrojmë parimeve pra, por jo t’a rrëzojmë reformën.
A nuk jeni ju që nxorrët atë zonjën t’i thotë Kolegjit Elektoral se “do ta shohësh me vettingun ti”? Shtrigash doni ta bëni vettingun? S’do ta bëni dot kurrë atë. Do thyeni qafën, do bllokoni reformën, por këtë s’keni për ta bërë kurrë jo një të thotë, por dhe njëqind të thonë. Se bën dot kush kurrë këtë. E provuat dy vjet rresht se si u thyet nen pas neni, sepse donit të bënit pikërisht këtë. Si bëtë dot në Kushtetutë dhe ktheheni tani t’i bëni me ligj dhe organizoni gjahun e shtrigave. Në demokraci nuk ka gjah shtrigash. Në demokraci ka dinjitet njerëzor, nuk të lejon ai të bësh gjahun e shtrigave, ai të lejon të bësh vlerësime objektive, të lejon të qëndrosh mbi bazën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të lejon të rrisësh performancën. Ne bëmë Kushtetutën e drejtësisë, e votuam me qëllimin më të mirë, tani ju doni të rrëzoni atë që votuam? Ju jeni qesharakë. Ndaj zoti kryetar mendoj që kjo seancë t’i kushtohet kanabisit. Të ulet komisioni, i cili është i detyruar të gjejë aplikimin e amendamenteve kushtetuese, zbërthimin e tyre. Por nëse kemi thënë se me vettingun do merret BKH, do merren vetorët, s’mund t’ja delegojmë me ligj tjetër kujt. Hajde të bëjmë ligjin. Unë e kuptoj se ke hall të bësh president Arben Ndokën dhe deputet Ymer Lalën, por ne këtu kemi hall për reformën. Të jesh i bindur se nuk do marrësh asnjë votë nga Veriu me këto që bën, dhe ta dish mirë, se ky është shtatori i fundit i yti në pushtet, ky është shtatori i fundit i Edi Ramës në pushtet!

Urrejtja dhe diskriminimi ndaj veriorëve

Berisha ironizoi dje emërimin e ish-deputetit të inkriminuar, Arben Ndoka si President i Federatës së Mundjes, ndërsa e cilësoi si të papranueshëm urrejtjen klasore të Ramës ndaj veriorëve, për të cilët deklaron se duhet të drejtohen nga njerëz të inkriminuar.
“Urime për presidentin Ndoka (Arben Ndoka). Doja të të uroja për Ndokën që e zgjodhe president (i Federatës së Mundjes), edhe për Ymer Lalën se e bëre këmishë, bodyguard. Dhe përgatitu t’i lëshosh vendin Ymer Lalës. Eshtë bërë pazari me ty, kot je ti, ta them unë që je kot, sepse është bërë marrëveshja me Ymer Lalën. Sepse socialistëve të Dibrës, i nxirret për veshësh jashtë kandidati që shpallet dhe emërohet kandidati i Ymerit. Këto janë probleme të brendshme tuajat. Ti këto veprime i bën siç i ke thënë një ambasadori, dhe jo vetëm një ambasadori në fakt, se këta në Veri janë kriminelë, këto pra i bën duke u nisur nga hipoteza se dibranët janë kriminelë dhe duan Ymer Lalën, se shkodranët janë kriminelë dhe duan Martin Cubin, se lezhjanët janë trafikantë dhe duan trafikantin Arben Ndoka, se laçianët janë kriminelë dhe duan kriminelë si Prenga, por them që kjo është qëndrimi më i ulët e më racist, është urrejtja më e madhe krahinore që nga koha e Enver Hoxhës deri sot. Por nuk jemi mbledhur për këtë, sepse kjo do të jetë çështje e një diskutimi më të gjërë”, tha Berisha.

Rama nuk do mund ta kapë dot kurrë Drejtësinë

Në një replikë, pas fjalës së Ramës, ish-kryeministri Berisha bëri të ditur se opozita nuk do të lejojë kurrë që Rama të mund të kapë Drejtësinë. Berisha theksoi se Rama po përpiqet të shpëtojë veten e tij ndaj dhe po kërkon që përmes ligjesh antikushtetuese të sigurojë drejtësinë për të mbrojtur megaaferat në të cilat është përfshirë.
“Së pari, dua të shpjegohem, kur të thashë se të kemi thyer dhe do të të thyejmë turinjtë në çdo nen, nuk kisha parasysh doreza boksi, por kisha parasysh Venecian dhe parimet e Venecias. Ndaj dhe të them këtu se ti me këto që bën harron që mbase dhe një muaj nuk do jesh dot kryeministër, po kjo s’ka rëndësi për ne, por ne nuk mund të bëjmë sikur nuk jemi ne që miratuam një reformë me një procedurë të caktuar. Po pas një muaji vendi mund të ketë një kryeministër tjetër, ndaj ska asgjë personale këtu. Këtu ka seriozitetin për të zbërthyer në ligj atë që miratuam, me bindjen se ajo që miratuam është në standardet e mira europiane. Kjo është gjithçka. Dy vjet rresht ke dalë këtu duke nxjerrur letrën, SHBA dhe BE. Por shqiptarët duhet ta dinë se pikërisht ato që përmëndte ky, i nxorrën kartonin e kuq.
Por tani kemi miratuar ligje. Tani urdhëroni t’i japim mundësi zbatimit të ligjeve dhe mundësia e zbatimit të ligjeve është krijimi i BKH, ndërtimi i saj, fillimi i punës nga vetorët, duke u bazuar në të dhënat e saj. Ti do ta kapësh, por se kap dot kurrë! Ne nuk kemi hallin se ti do ta kapësh, s’kemi hallin tuaj se absolutisht ti je kryeministri më i përkohshëm, i ke të numëruara kohërat, por ne nuk duam që edhe ai kryeministër që do vijë, qoftë dhe i yni, të mund të ketë mundësi që të kapë drejtësinë. Por ju nguteni, po ç’është kjo ngutje? Ti do ta sigurosh drejtësinë se ti ke hallin e madh të Surrelit. Ti Surrelin në thes nuk e fut dot, se e ka thënë populli se minareja nuk futet në thes, ndaj dhe Surreli nuk futet në thes, pallati në pajë nuk futet në thes, afera e CEZ nuk futet në thes. Ti do të gjësh gjykatës që të mund t’i injorojnë, por të tillë gjykatës nuk ekzistojnë”, u shpreh ish-kryeministri.

Rama, qendrim si nomenklatura komuniste ndaj Nënë Terezës

Berisha dënoi ashpër indiferencën totale të qeverisë në lidhje me shenjtërimin e Nënë Terezës, ku mbeti gati një javë nga kjo ngjarje historike, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet. Ish-kryeministri e cilësoi qendrimin e Ramës të njëjtë me atë të nomenklaturës komuniste, ku regjimi komunist nuk e lejoi Nënë Terezën që të shkelte në Shqipëri për 45 vite me radhë.
“Me datën 4 shtator është një ditë historike për kombin, për shqiptarët, për kombin në tërësi, për krishtërimin botëror në tërësi gjithashtu; shenjtërohet Nënë Tereza dhe kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme. Nuk ke bërë asnjë gjest si qeveri. Unë nga pozitat kundërshtare kështu dua t’ju shoh, por nga pozitat kombëtare nuk më vjen mirë. Jam i dystuar midis interesit kombëtar dhe interesit tim si politikan.
Por si qeveri e një vendi nuk mund të rrije kaq indiferent ndaj kësaj date. Ose të bëje atë që bënë qeveritë fqinje, të bëje një monedhë ose të bëje një aktivitet tjetër, të tjerë sponsorizuan një koncert. Por ama duhet të bëje diçka. Unë e kam njohur Nënë Terezën se kam qenë në fillimet e ardhjeve të saj në Shqipëri. Dhe, pasi nuk e kishin lejuar për 45 vite të vinte, pasi kishte ndërhyrë edhe Presidenti Regan e Miterrand që t’i jepej mundësia të vinte të shihte nënën e vet, që jetonte në kulmin e mjerimit në një rrugicë në Tiranë, ajo më në fund erdhi, Shqipëria u hap dhe erdhi me ndjenjën e një dashurie të pakufishme, sepse Krishti, Zoti dhe dashuria ishin gjithçka për të. Çfarë bëri nomenklatura në atë kohë? Hapën llafe se kjo s’ka bërë asgjë për ne. Ata që e ndaluan 45 vjet të shkelë në tokën shqiptare, ata që e ndaluan të vijë të vizitojë nënën e vet, ata që e ndaluan të vijë t’i vejë një tufë me lule te varri, hapën llafe se ajo s’bëri asgjë për ne kjo.
Një nga ata që ka thënë këto fjalë është dhe ky këtu (Rama), ky burrë dhe i ka thënë kur ka qenë ministër Kulture dhe kur erdhi kryetar bashkie mori dhe vuri shtatoren në një cep të Universitetit dhe jo në shesh aty ku ishte. Mirë, në fund ai ishte kryetar bashkie dhe kështu vendosi. Shtatoren e saj e çoi në Aeroport, shtatoren e Aeroportit, maketin e të cilës ja kisha bërë dhuratë Papa Ratzinger, të njërit prej skulptorëve më të shquar shqiptarë e la dy vjet rresht në një vend të hedhur, duke thënë se gjoja po meremetohet dhe tani se ku e ka degdisur as unë nuk e di. Dhe sot Tirana nuk ka një shtatore të saj. Dhe sot, me gjithë nderimet që ju bënë me sheshin dhe Aeroportin, në këtë moment kulmor ajo s’është më, në këtë moment shenjtërimi kjo qeveri nuk merr përsipër qoftë dhe një gjest për të sensibilizuar, por mban atë heshtje që mbajti nomenklatura komuniste 20 vjet më parë, kur ajo erdhi dhe hapi shtëpitë e para dhe ky është një turp i vërtetë!”, u shpreh Berisha.