SHERI PS-PDIU, I FORTI I PDIU KAP PREJ VESHI RAMEN E DIBRES

Përfaqësuesi i PDIU ka kundërshtuar praninë e deputetit Manja në fushatë dhe për këtë i ka kërkuar llogari kandidatit Rama. Kandidati për bashkinë është shprehur se deputeti Manja ka ardhur pa ftesën e tij në takim

Deputeti i PS, Ulsi Manja është detyruar të largohet nga takimi në Lurë

Përplasje mes kandidatit të Partisë Socialiste, Muharrem Rama dhe një përfaqësuesi të PDIU në Dibër. Shkak për përplasjen është bërë prania e deputetit të PS, Ulsi Manja, në një takim elektoral në Lurë. Përfaqësuesi i PDIU ka kundërshtuar praninë e deputetit Manja në fushatë dhe për këtë i ka kërkuar llogari kandidatit Rama. Kandidati për bashkinë është shprehur se deputeti Manja ka ardhur pa ftesën e tij në takim. Një burim i lapsi.al që i referohet dëshmive të disa të pranishmëve në takim, tha se përfaqësuesi i PDIU e ka kapur për veshi kandidatin Rama dhe i ka kujtuar marrëveshjen që PS ka me PDIU. Sipas tij, marrëveshja parashikon ndarjen e bashkisë 50% me 50% mes PS e PDIU. Në këtë moment deputeti i PS, Ulsi Manja është larguar nga takimi.
Deputeti socialist është munduar të përgënjeshtrojë lajmin, duke bërë një lojë me ndryshimin e ditës kur ka ndodhur debati .
I kontaktuar nga opinion.al, Ulsi Manja hedh poshtë si të pavërtetë lajmin, duke shtuar se dje ai ka qenë në Tiranë.
“E hedh poshtë me neveri këtë lajm që jam i bindur është gatuar në guzhinën e kandidatit të PD për Dibrën, Sherefedin Shehu. Unë sot jam në Tiranë dhe mund të pyesni kolegët tuaj të mediave, pasi rreth orës 12:00 deri në 13.30 kam qenë si zakonisht në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, duke u marrë me punën time si deputet, anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi”, ka thënë Manja.
Por ndërkohë burime të sigurta kanë thënë se, incidenti mes deputetit socialist dhe përfaqësuesit të PDIU-së ka ndodhur gjatë ditës së hënë në fshatin Lurë. Përfaqësuesi i PDIU ka kundërshtuar praninë e deputetit Manja në fushatë dhe për këtë i ka kërkuar llogari kandidatit Rama.
Sqarimi i Manjës ka rënë poshtë, pasi ai nuk ka sqaruar se ku ka qenë ditën e hënë kur ka ndodhur incidenti në Dibër. Ai është munduar të paraqesë si provë prezencën në Parlament në seancën e jashtëzakonshme të së martës kur u votua edhe ligji i Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Ditën e hënë, Manja ka qenë në Lurë dhe është detyruar që të largohet me bisht ndër shalë pas incidentit me të fortin e PDIU. Kjo ka qenë e turpshme dhe një nënshtrim publik para banorëve të Lurës, të cilët kanë përcjellë këtë incident.
Tensionet janë të mëdha në Dibër mes koalicionit qeverisës. Rama ndryshoi kandidatin në momentet e fundit. Muharrem Rama ishte karta e hedhur nga PDIU dhe për këtë kandidaturë, Rama rrëzoi kandidaturën e parë, e cila ishte e propozuar nga deputetët socialistë. Kjo solli një prishje të fortë të balancave mes socialistëve. Tashmë ata janë të bindur se kandidati i përzgjedhur nga Rama nuk është një përfaqësues i socialistëve, por pjesë e grupeve të forta që mbështesin Ramën në këtë zonë.
Incidenti i fundit i Dibrës mes PS dhe PDIU flet edhe për një detaj tjetër. I forti i PDIU, ndërsa ka kapur nga veshi kandidatin Rama i ka kujtuar atij pazarin për ndarjen e pushtetit në rast të fitores së Ramës. Ai i ka thënë se ky pushtet në Dibër do të ndahet 50 me 50 mes PS dhe PDIU, duke lënë kështu jashtë loje tërësisht LSI-në. Përjashtimi i LSI nga koalicioni qeverisës u la të kuptohej edhe një ditë më parë gjatë një bashkëbisedimi që Kreu i qeverisë bëri me njësitë tij në rrjetet sociale. Ndërsa, u pyet për koalicionin me LSI, ai u përgjigj për kthimin në faktor të PDIU, një sfidë e hapur kjo për Metën.
Debatet janë të forta mes koalicionit qeverisës, por edhe mes interesave të deputetëve socialistë dhe vetë Ramës. Kreu i qeverisë besohet se do të ndryshojë tërësisht listën e Dibrës dhe injorimi që po i bëhet deputetëve socialistë në Dibër është edhe pjesë e kësaj loje të Ramës.