Sadriu 3.35 miliardë lekë me tre tendera nga Bashkia e Dibrës

PD zbardh listën e një pjese të institucioneve dhe bashkitë e Ramës që dhanë 12 miliardë lekë për Sadriun në një vit

3.35 miliardë lekë është fatura përmes së cilës, Sadri Abazi ka zhvatur nga paratë e dibranëve në vetëm një vit. Me vetëm tre tenderave të majmë, deputeti socialist, ka fituar jo pak, por mbi 3.35 miliardë lekë përmes kompanisë së tij, megjithëse në Bashkinë e Dibrës nuk është bërë asnjë investim publik përgjatë gjithë vitit. Janë tre tendera që Bashkia Dibër i ka dhënë kompanisë së Sadri Abazit, përkatësisht një tender prej 870 milionë lekësh, një tjetër tender prej 1 miliard e 720 milionë lekë si dhe një tjetër prej 780 milionë lekësh, me një total prej 3.35 miliardë lekësh. Por këto tre tendera nuk janë të vetmet që ka përftiuar Abazi. Partia Demokratike ka denoncuar se Abazi jo vetëm që zhvat tenderat dhe paratë publike, por çdo tender i ftiuar prej është me ofertën më të lartë në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë që skualifikohen.
“Ka një angazhim total të institucioneve, ministrive e bashkive të Edi Ramës për të dhënë miliona për Sadriun. 12 miliardë lekë ka marrë për një vit, një shumë që do të mjaftonte si pagesë papunësie për 15 mijë familje në Dibër. Në të gjitha rastet, oligarku i Ramës paraqitet me ofertën më të lartë. Merr gjithë fondin e vënë në dispozicion. Nuk ka garë, kushdo që paraqitet përballë tij skualifikohet. Shumë prej tyre Sadriu i kap si operator i vetëm. Vetëm në Dibër për një vit Sadriu ka marrë 3 miliardë lekë, pra ka marrë të gjithë buxhetin e Bashkisë”, thuhet në një reagim të zëdhënëses së Partisë Demorkatike, Ina Zhupa.
“Merr paratë e dibranëve, dhe shkon sot atje për t’u marrë dhe votën, për ta blerë atë ku të mundet, sepse ai është i përbuzur nga çdo dibran. Kjo është fatura e korrupsionit e Edi Ramës me Sadriun e tij vetëm për një vit. Se kjo është skema e tij; pasuritë dhe paratë e shqiptarëve për vete, ndërsa për popullin, burgun, varfërinë dhe emigracionin. Ky sundim oligarkësh do të bjerë shumë shpejt. Dibra do të çlirohet e para më 11 shtator, e më pas gjithë vendi. Shqipëria do të jetë më mirë pa hajdutët e Ramës. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën. 12 miliardë lekë ka marrë Sadri Abazi, i favorizuar nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të skualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. Sipas PD, fatura e korrupsionit të Edi Ramës vetëm me tenderat që i jep Sadri Abazit për një vit është sa pensioni në qytet për 7055 persona, pensioni në fshat për 12 832 persona, sa 4811 paga minimale, është pagesa e papunësisë për 15 453 persona.
Rama i ka dhënë oligarkut të tij, Sadri dhjetëra tendera për një vit dhe ka pranuar ofertën e tij më të lartë në çdo rast. 12 miliardë lekë ka marrë Sadriu nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të skualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën.
Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Ja disa nga dorovitjet, për një vit

OSHE, 940 milionë lekë për Sadriun
Ministria e Mirëqënies, 440 milionë lekë
Drejtoria e Rrugëve, 562 milionë lekë
Bashkia Kavajë, 1 miliard e 390 milionë lekë
Bashkia Patos, 120 milionë lekë
Bashkia Peqin, 180 milionë lekë
Bashkia Pukë, 230 milionë lekë
Bashkia Librazhd, 84 milionë lekë
Bashkia Librazhd, 480 milionë lekë
Bashkia Tiranë, 1 miliard e 840 milionë lekë
Bashkia Dibër, 870 milionë lekë
Bashkia Dibër sërish, 1 miliard e 720 milionë lekë
Sërish Bashkia Dibër, 780 milionë lekë