Rusia nuk do të marrë pjesë në Lojërat Paralimpike

Rusia nuk do të marrë pjesë në Lojërat Paralimpike të Rio de Janeiros, pasi Komiteti Olimpik i këtij vendi humbi apelimin e bërë kundër dënimit të vendosur që më parë, në lidhje me sponsorizimin e dopingut nga vetë shteti rus. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv mbështeti Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, duke mbajtur në fuqi përjashtimin e të gjithë sportistëve rusë nga Olimpiada e Rios. Ky organ e mori një vendim të tillë pas “raportit të pavarur McLaren”, i cili përshkruante në mënyrë të detajuar programin e sponsorizuar nga shteti rus.
Vendimi i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar për të pezulluar të gjithë seleksionin rus sipas panelit të CAS ishte “proporcional në bazë të rrethanave” dhe në fakt drejtuesit e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv shtuan se do t’i shpjegojnë pak më vonë të gjitha arsyet që çuan në një përfundim të tillë. Gjithashtu drejtuesit e CAS rrëfyen se Komiteti Paralimpik i Rusisë nuk paraqiti asnjë dëshmi apo provë për të kundërshtuar faktet e ofruara nga Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar. Vendim i KPN-së bie ndesh me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që preferoi për të mos aplikuar një ndëshkim të përgjithshëm për ekipin rus, në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros.
KON-i u kritikua në mbarë botën, për faktin se injoroi rekomandimin e Angjencisë Botërore të Antidopingut WADA për të pezulluar Rusinë. Historia tashmë dihet. Një panel prej tre personash nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha fjalën e fundit dhe në vend të një skualifikimi të përgjithshëm të mundshëm iu dhanë të drejta të plota të gjitha federatave të këtij vendi për të përcaktuar sportistët rusë që lejoheshin për të garuar, megjithatë në përfundim më shumë se 270 sportistë rusë u deklaruan të pastër për të marrë pjesë në Olimpiadën e 31. Rusia u përfaqësua me 267 sportistë në këto Lojëra Olimpike, në 18 sporte të ndryshme dhe CAS në një deklaratë zyrtare shpjegoi se një vendim i tillë nuk u mor thjesht nga idea për të respektuar të drejtat individuale të sportistëve të këtij vendi.
Për hetimin që shpërtheu këtë skandal, merita i takon profesorit kanadez të drejtësisë Richard McLaren, që publikoi një raport që provonte përfshirjen e Ministrisë Ruse të Sporteve në manipulimin e mostrave të urinës, të marra nga atletët rusë nga viti 2011-2015. Rusia e mbylli Olimpiadën e Rios në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme, me 56 medalje gjithsej, 19 ari 18 argjendi dhe 19 bronzi dhe respektivisht prapa vendeve të tilla si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kina. Lojërat Paralimpike do të fillojnë në Rio de Janeiro më datë 7 shtator. Ky aktivitet do të përfundojë më datë 18 shtator dhe në këto lojëra do të marrin pjesë 65 shtete gjithsej, që do të konkurrojnë në 23 sporte të ndryshme.