Ronaldo lojtari më i mirë i Europës

Cristiano Ronaldo shpallet lojtari më i mirë në Europë për sezonin 2015-2016. Sulmuesi i Realit të Madridit la pas në garën për këtë trofe individual shokun e tij të skuadrës te Los Blancos, Gareth Bale dhe sulmuesin e Atleticos së Madridit, Antoine Griezmann. 55 gazetarët sportivë që përfaqësojnë secili një anëtar të UEFA-s vendosën që ky çmim të shkojë për lojtarin që ka fituar trofetë kryesorë gjatë sezonit të kaluar, Champions Leaguen dhe Kampionatin Europian Francë 2016. Kjo është hera e dytë që Cristianio Ronaldo bën të tijin këtë trofe individual. 31-vjeçari e pranoi se 2015-2016-ta ka qenë sezoni i tij më i mirë, për faktin se mundi të shpallej kampion Europe me Portugalinë.
“Sigurisht që ka qenë sezoni im më i mirë. Ka qenë një vit i veçantë për Portugalinë dhe sërish për Realin e Madridit. Falënderimet e mia shkojnë veçanërisht për shokët e mi të skuadrës. Jam shumë i lumtur. Duhet t’u njohim meritat Griezmannit dhe Bale-t. Më vjen keq që ka humbur dy finale në Champions League dhe në Europian, por mund të them se ka bërë një punë fantastike”, u shpreh Ronaldo.
Cristiano Ronaldo gjatë sezonit të kaluar ka mundur të shënojë 57 gola në 61 ndeshje, 16 prej të cilëve në Champions. Që nga fitimi i FA Cup me Manchester United në vitin 2004, karriera e Cristiano Ronaldos ka qenë një rrjedhë e trofeve kolektivë dhe me shumë çmime individuale. Por edhe ikonës portugeze iu desh të pranonte se sezoni i kaluar ishte veçanërisht i veçantë dhe është ndoshta kjo arsyeja pse ai do të ishte i lumtur të dalë në pension tek Real Madridi.
Florentino Perez kohët e fundit e ka bërë të ditur se Ronaldo do të përfundojë karrierën e tij me klubin madrilen, duke i dhënë fund kështu spekulimeve për një lëvizje të tij tek ndonjë ekip tjetër dhe 31-vjeçari me siguri që pajtohet me fjalët e presidentit të tij:
“Po, kjo është ajo që unë dua, jam në klubin më të mirë në botë dhe dua të dal në pension këtu, në moshën 41-vjeçare”, ndoshta pak e ekzagjeruar gjatësia e kohës, por jo edhe qëllimi i tij: “Qëllimi është të rinovoj kontratën time dhe të qëndroj”, tha Ronaldo.
Fitimi i Champions League dhe ngritja e trofeut në Kampionatin Europian me Portugalinë e lejon Cristianon që të thotë lehtësisht se: “Ky ishte një vit i paharrueshëm, në nivel klubi dhe ndërkombëtar, në mënyrë kolektive dhe individuale, ishte i mahnitshëm”, deklaroi Cristiano.