Rekordi i Shkëndijës, mbështetje nga të gjitha trojet shqiptare

Pavarësisht humbjes 4-0 në shtëpi përballë Gent, Shkëndija e shndërroi ndeshjen e fazës play off të Europa League në një festë mbarë shqiptare. Në rrugëtimin e jashtëzakonshëm europian, skuadra tetovare arriti të bashkonte të gjithë shqiptarët, ashtu si asnjë klub tjetër nuk ia kishte arritur deri më tani.
Afro 30 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin e Shkupit, për një atmosferë elektrizuese, si ato që shqiptarët e kanë përjetuar vetëm gjatë ndeshjeve të kombëtares. Kudo dominonin simbolet kombëtare, me Shkëndijën që në një sezon historik u rreshtua përkrah ambasadorëve kuqezi në Europë.
Thirrjes së tetovarëve iu përgjigjën grupime nga të gjitha trojet shqiptare, në mbështetje të Ballistëve, që si zakonisht ishin të jashtëzakonshëm me koreografinë e tyre. Tifozë nga Struga, Kumanova dhe Manastiri. Nuk mund të mungonte Tirana me përfaqësuesit e Tifozave Kuq e Zi; por edhe Prishtina, Dibra, Gjilani e Gjakova. Shkëndijës iu bashkuan shqiptarët nga Lugina e Preshevës, Kondova, Kaçaniku, Gostivari dhe Mitrovica.
Ndeshja e Shkëndijës u kthye në një lëvizje kombëtare të paprecedent. Të gjithë prisnin kualifikimin historik, por humbja në fushë nuk ua prishi festën mijëra tifozëve në tribunë, të bashkuar nga të gjitha trojet shqiptare.
Është mbyllur këtu, në play off-in e Europa League, me Shkëndijën që është mposhtur 4-0 nga Gent në kthim pas disfatës 2-1 në transfertë, por çfarë emocionesh na kanë dhuruar këtë verë kuqezinjtë. Kanë kaluar tri ture në kompeticionin europian, si kurrë më parë në historinë e tyre, kanë tejkaluar çdo parashikim dhe padyshim i meritojnë duartrokitjet e tifozëve dhe të gjithë shqiptarëve për krenarinë që dhuruan.
Ishte një ndeshje që niste në një atmosferë fantastike në stadiumin e Shkupit, mbi 30 mijë shpirtra shqiptarësh që përkrahnin Shkëndijën në një mbrëmje emocionesh të mëdha e krenarie kombëtare. Duam fitore, britma e tyre për një atmsoferë elektrizuese, në fushë Ibrahimi e Hasani në sulm të mbështetur nga Alimi në 4-3-2-1 e Akrapovic, por Gent e kishte marrë leksionin nga ndeshja e parë “mbrojtja më e mirë është sulmi”.