Raporti, Prokuroria nis hetimet për drejtorët e parcelave me kanabis

Në raportin e SHISH janë evidentuar disa emra konkretë të drejtuesve të policisë dhe shefave të komisariateve

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimet mbi një raport voluminoz të Shërbimit Informativ Shtetëror për plantacionet me drogë në të gjithë vendin. Bëhet e ditur se SHISH ka dorëzuar një raport të detajuar, për zonat ku kultivohet lënda narkotike dhe emra të personave që dyshohet si pronar të tyre. Gjithashtu, burimet thonë se në këtë raport janë ngritur dyshime edhe për drejtues e inspektorë të Policisë së Shtetit, të cilët bashkëpunojnë me kultivuesit e hashashit në disa zona të Shqipërisë për mos asgjësimin e tyre. Sipas këtij raporti, në zona të caktuara të Shqipërisë, kryesisht në jug dhe veri, parcelat e mbjella me hashash ruhen me njerëz të armatosur, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me role të specifikauar për gjithsecilin, dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal” në kultivimin e lëndës narkotike.
Për këtë vepër, mësohet se është regjistruar edhe procedimi penal nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda. Këto burime thanë që në dosjen e SHISH-it janë evidentuar edhe disa emra konkret të drejtuesve të policisë, shefave të komisariateve, e atyre të krimeve si dhe inspektorëve të zonave, të cilët bashkëpunojnë me kultivuesit e hashashit në zona të caktuara. Për këto emra dhe dosjen hetimore të kultivuesve të hashashit, zyrtarisht Prokuroria për Krime të Rënda nuk preferon të prononcohet me arsyetimin se çështja është në fazën hetimore.
Nga ana tjetër, burimet thonë se, pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, grupi hetimor ka kërkuar evidentimin e disa personazheve me uniformë policie, të cilët dyshohet se bashkëpunojnë me kultivuesit e hashashit. Edhe rasti i fundit në Kolonjë, ku Prokuroria e Korçës, ka proceduar dhe lëshuar urdhër-arrestet për disa efektivë policie mësohet se është pjesë e informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror që më pas është ligjëruar edhe nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Në operacionin e Prokurorisë së Korçës, janë asgjësuar rreth 17 mijë bimë narktoike në zonën e Ersekës, ku dyshohet se kultivuesi kryesor i kanabisit ishte efektivi i policisë i arrestuar Edvin Meko bashkë me ndihmësit Mariglen e Krenar Nuredini. Ndërsa me cilësinë e pronarëve dhe porositësve të lëndës narkotike janë arrestuar Jorgo Kristali dhe Gramoz Bejko.
Ndërkohë, në pranga ka përfunduar edhe një drejtues i njësisë vendore në Veri për kultivim kanabisi. Bëhet e ditur se, kryetari i Njësisë Administrative Pult në Malësinë e Dukagjinit në Shkodër, Tom Marku, është vënë në pranga, pasi në banesën e këtij të fundit është gjetur një armë dhe një sasi lënde narkotike.

“Largoi menjëherë “dhitë” nga parcelat se po vjen ujku”
Një operacion për shkatërrimin e kanabisit i zhvilluar para pak ditësh në Kolonjë u dekonspirua nga vetë forcat e rendit. “Largoi menjëherë “dhitë” nga parcelat se po vjen ujku”. Ishte ky mesazhi që bindi hetuesit për veprimet e dyshimta të efektivit Edvin Meko që tashmë është shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, kultivim kanabisi dhe dekonspirim të operacionit policor.
Mesazhi i efektivit të policisë rezulton të jetë dërguar në numrin e Mariglen Nuredinit sapo automjetet e policisë janë nisur për aksion, patrulla me të cilët drejt parcelave me drogë ishte dhe vetë Meko i pranishëm.
Mariglen Nuredini për hetuesit në këtë grup kriminal ka patur rolin e kultivuesit dhe prej më shumë se 1 muaji ndodhej pranë parcelave deri momentin që u njoftua për t’u arratisur. Paçka se arriti të largohej nga parcelat, tashmë Mariglen Nuredini është arrestuar sëbashku me Krenar Nuredinin, ndërsa në kërkim është Edvin Meko, polici që spiunonte kolegët tek trafikantët, ku bënte pjesë dhe vete si dhe Jorgo Kristali dhe Gramoz Bejko, që dyshohen se financonin nëpërmjet Mekos kultivimin e drogës.

Noka-Tahirit: A i fole gazetarit të huaj për habilajt, Shullazin, sipërfaqet e kanabisit

Deputeti i PD dhe njëkohësisht nënkryetari i Sigurisë në Kuvend, Flamur Noka, e cilësoi përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar imazhin, daljen në parcelën me kanabis të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, bashkë me gazetarin e “The Economist”, në zonën e Tragjasit në Vlorë. Noka e akuzoi ministrin e Brendshëm për përfshirje në trafikun e drogës, duke i renditur 10 pika, ndërsa shtoi se donte të dinte a i kishte folur gazetarit të huaj për habilajt, Shullazin, sipërfaqet e shtuara të kanabisit.
Në një postim në Facebook, Noka shkruan se, “Paska bërë Tahiri i brendshëm ca foto me një gazetar të njohur, sikur është në krye të një operacioni anti-drogë. Kjo është një nga gjërat më qesharake dhe më të pabesueshme sot në Shqipëri”.
“Dua t’i kujtoj Tahirit të brendshëm nëse i foli gazetarit;
1-Që i ka dhënë makinën e tij private habilajve, grupit më të madh të trafikut të drogës në zonën Fier-Vlorë
2-Që është i mërzitur kohët e fundit se Prokuroria me ndihmën e partnereve i ka futur në burg kumbarin e tij Shullazi
3-Që ka djegur laboratorin e drogës për të zhdukur provat për trafikantët e mbrojtur prej tij
4-Që ai për interes të Edi Ramës mban llogaritë e 30 për qind të përfitimit për çdo rrënjë kanabis
5-Që sipërfaqja e mbjellë me drogë vitin e kaluar është 5-fishuar, ndërsa këtë vit droga ka pushtuar gjithë vendin
6-Që Shqipëria renditet e para si vend prodhues i drogës në BE
7-Që drejtuesit e tij të policisë janë në krye të këtij biznesi, ruajnë dhe kontrollojnë këtë trafik dhe vjelin taksën 30 për qind
8-Që çdo burim e aset bujqësor është kthyer në dispozicion të drogës
9-Që janë të paktën 4 të vrarë në dy muajt e fundit për parcelat e drogës
10-Që ekonomia kriminale e drogës po asfikson ekonominë e ndershme në vend
Këto janë të vërteta e drogës dhe Tahirit të brendshëm që i di mbarë opinioni publik. Këto bën mirë t’ia thotë edhe gazetarit, të cilin e shfrytëzon për të përmirësuar imazhin e tij. Një përpjekje e dëshpëruar se nuk ka si të përmirësohet imazhi i një ministri të krimbur në krim e trafiqe”, shprehet Noka.

Prapa kanabizimit të Shqipërisë qëndrojnë drejtorët e qarqeve dhe vartësit e tyre

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar sërish për kanabizimin e Shqipërisë, duke deklaruar se prapa këtij kanabizimi qëndrojnë drejtorët e qarqeve dhe vartësit e tyre. “Episode të përditshme faktojnë kriminalizimin nga koka deri tek këmbët e Policisë së Shtetit, e cila me shpejtësi të rrufeshme shndërroi Shqipërinë nga Alpet deri në Kakavijë në kanabistan të vërtetë, apo rriti këtë vit me 1500 herë sipërfaqen e mbjellë me kanabis krahasuar me sipërfaqen e mbjellë në vitin kulmor 2013 në Lazarat”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Më tej ish-kryeministri Berisha shkruan se, një polic me uniformë dëshmoi në “ABC News” atë që qytetari dixhital ka informuar publikun me dhjetëra herë, se prapa kanabizimit të Shqipërisë qëndrojnë drejtorët e qarqeve dhe vartësit e tyre në Policinë e Shtetit, të cilët përveç 20 euro për çdo rrënjë marrin dhe 50% të fitimit. Por kanabisi është vetëm njëri aspekt i veprimtarisë kriminale të organizatës kriminale që quhet Polici e Shtetit.
“Sulmet ndaj gazetarëve, brutaliteti ndaj qytetarëve, bashkëpunimi me bandat për marrjet peng dhe vrasjet e tyre, thyerjet e bankave, grabitjet e parave edhe në pistën e aeroportit, organizimi i trafikut të drogave dhe njerëzve që të gjitha sot janë monopol i organizatës kriminale të qeverisë kriminale që quhet Polici e Shtetit.
Këtë krim që ka mbuluar gjithë Shqipërinë e drejton dhe e udhëheqin Edvin Shullazi si kryekumbar i Kostandinëve, Shullazëve, Frrokëve, Prengëve, Nokave. E udhëheq një gangster ordiner, një skafist ministër Rendi me Bashkimin, Habilët, Albanët, Didët dhe Çakot e tij, e udhëheq një mercenar pa moral dhe ligj si drejtori i përgjithshëm i policisë që regjistron për llogari të Edvin Shullazit, Presidentin e Republikës, kreun e opozitës, Parlamentit dhe çdo person tjetër që i kërkojnë bosët e tij.
Kurrë ndonjë herë shqiptarët dhe jeta dhe prona e tyre nuk kanë qenë më të rrezikuar më të kërcënuar se sa sot nga Policia e Shtetit, një organizatë kriminale e një qeverie kriminale! Sb”, përfundon Berisha.