RAMA TENDERON, BEQJA FITON

Kompania e tij ka fituar 170 milionë të tjera në gushtin e pushimeve nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në varësi direkte të Ramës
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, e krijuar posaçërisht nga Rama dhe në varësi direkte të tij ka akorduar një seri tenderash drejtuar kompanisë së Ilir Beqes, Intech+. Mjafton një hulumtim i thjeshtë në portalin e dhënave Open Data për të parë se kompania e Beqes muajt e fundit ka qenë përfituese e rregullt e dhjetra tenderave nga AKSHI. Megjithëse të ndara, këto tendera kanë shifra të vogla, janë aq të shpeshtë sa nëse i mbledh shuma e transaksioneve që kanë kaluar në xhepat e Ministrit Beqja kap vlerën e rreth 400 milionë lekëve, ku gjatë këtij muaji AKSHI ka kryer transaksione në vlerën e 170 milionë lekëve për llogari të kompanisë së Ministrit Beqja.
Të gjitha tenderat e akorduara kanë pasur si subjekt pune në shumicën e rasteve mirëmbajtjen e pajisjeve të zyrave. Për të mos rënë në sy në shumat e mëdha, kalimi i fondeve është bërë në shuma të vogla por që rezultojnë në një total të majmë për xhepat e ministrit.
Shumat e fondeve që janë lëvruar sipas të dhënave zyrtare të Open Data-s janë në vlera disa milionëshe për të kaluar më pas në shuma më të mëdha që kapin vlerat e deri 120 milionë lekëve, e për të zbritur sërish në shuma të vogla. Tenderimet nisin në muajin mars këtij viti për të vijuar deri në ditët e fundit të gushtit, ku sipas tabelave për transaksionet e kryera, fondi i fundit i lëvruar për kompaninë e Beqes është data 25 gusht 2016.

AKSHI hambar tenderash për Beqen
AKSHI ka qenë edhe vitin e kaluar një hambar tenderash për kompaninë e Beqes. Një lumë transaksionesh janë derdhur në llogarinë bankare të “INTECH+”, kompanisë së ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ditët e fundit të vitit 2015. Sipas të dhënave të marra nga Open Data, me shtatë transaksione dhe brenda vetëm një jave, duke nisur nga data 24 dhjetor e për të vijuar pa ndërprerje në datat 28, 29, 30 dhe 31 dhjetor, kompania e Ilir Beqajt ka përfituar jo pak, por plot 1.3 miliardë lekë. Vetëm në datat 30 dhe 31, kompanisë së ministrit të babëzitur i ka kaluar një shumë prej 696 milionë lekësh, një transaksion prej 514 milionë lekësh dhe një tjetër prej 182 milionë lekësh. Periudhë kjo kur, kompania e Beqjes në të njëjtën kohë thithte edhe qindra fonde të tjera nga paratë e buxhetit të shtetit përmes tenderave të tjerë korruptive.
Duhet të kujtojmë këtu se për vitin 2015, kompania e Beqes, Intech + mori 11 miliardë e 257 milionë lekë tendera e fonde publike të zhvatura nga institucione të ndryshme, kryesisht ministri e agjenci në varësi të kryeministrisë. Intech +, një kompani modeste, e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqja ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë, duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë. Qëkurse ministri i Shëndetësisë, Beqja, ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me disa herë më shumë dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar.

Tenderat nga qeveria dhe agjencitë në varësi të saj
Intech +, kompania e ministrit Beqja rezulton një prej më të suksesshmet në partneritetin me qeverinë dhe agjencitë në varësi të saj. Përgjatë 2013-2015 kjo kompani ka fituar plot 28 tendera publike me një shumë rreth 11 milion dollarë. Suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të përfolur gjithashtu për tenderimet dhe konçensionet në ministrinë e tij, Ilir Beqja. Kompania ku pronar është ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj.
Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”. Gjithsej rreth 3 milionë dollarë. Beqja ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech +, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj ka bërë një shitje fiktive të aksioneve të tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Intech + ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike.