PUSHIMET E ‘ESKOBARIT’ NE SARANDE

451

Njeriu më i kërkuar nga vendet partnere përfshi edhe DEA-n amerikane për trafikun ndërkombëtar të drogës është me pushime në Shqipëri. Klement Balili, të cilit i është vënë edhe epiteti si “Eskobari” i Ballkanit jo vetëm që nuk është në kërkim nga policia shqiptare, por është nën mbrojtjen direkte të Ramës dhe po kalon pushimet në një nga hotelet e Sarandës.
Fotot tregojnë Balilin duke shijuar rrezet e diellit nga një skaf luksoz, ndërsa një video e transmetuar në orët e mbrëmjes nga ish-Kryeministri Berisha e tregon Balilin duke shijuar motorët e ujit.
PD ka bërë publike fakte të rënda për lidhjet kriminale të policisë me kreun e një prej karteleve të drogës më të fuqishme në Ballkan. Në deklaratën e PD thuhet se, Eskobari i Ballanit ka qenë në shoqërinë e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rebani Jaupaj, i cili po pushonte në të njëjtin hotel ku qëndron edhe Klement Balili.
“Nën mbrojtjen e Ediskobarit, Eskobari i Ballkanit shëtit sot me motor uji në Sarandë. Çunat e krimit e ruajnë dhe i bëjnë fresk. Thuhet se tre netë më parë darkoi në Dhërmi me Ediskobarin!”, thuhet në reagimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Në bazë të deklaratave zyrtare të dhëna nga policitë e vendeve fqinje, Balili rezulton në kërkim ndërkombëtar. Këtë e ka pohuar zyrtarisht Greqia, ndërsa në Shqipëri ai rezultoi që të jetë nën mbrojtjen e Kryeministrit dhe ministrit të tij të Brendshëm. Arsyeja se përse Balili bredh i lirë është se në këtë vend trafikantët e drogës dhe krimi i organizuar kanë një imunitet që i jepet nga institucionet ligjzbatuese. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë heshtur mbrëmë përballë fakteve tronditëse se si kreu i kartelit më të fuqishëm të drogës në rajon bënte pushimet nën shoqërinë e numrit dy të Policisë së Shtetit.

PD: Po sfidojnë edhe DEA-n amerikane

Dëshmi nga vendngjarja konfirmojnë se dje në mesditë, në kompleksin “Sejko” në Sarandë është shfaqur Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Bashkëngjitur janë fotot ku Klement Balili shfaqet mbi një skaf, duke shijuar ditët e nxehta në det.
Ky fakt dëshmon se Edi Rama jo vetëm i siguroi arratinë dhe shpëtimin prej aksionit ndërkombëtar të DEA-s amerikane, policisë greke dhe belge, por po i ofron edhe më shumë garanci e paprekshmëri që ai të bëjë dhe pushime pa i hyrë ferrë në këmbë.
Dëshmitë nga vendngjarja konfirmojnë gjithashtu se Eskobari i Ballkanit – siç e cilësoi rrjeti televiziv amerikan “CNN” – ishte nën shoqërinë e një drejtuesi të lartë të policisë.
Edi Rama që po pushon disa kilometra më tej duhet t’ju shpjegojë shqiptarëve: Çfarë po bënte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupaj në resortin turistik ku po pushonte i kërkuari ndërkombëtar për trafik droge, Eskobari i Ballkanit, Klement Balili?
Opinionit publik, nuk i nevojitej edhe një fakt më shumë për të kuptuar shpartallimin që Edi Rama i ka bërë rendit, sigurisë dhe Policisë së Shtetit, nëpërkëmbjen e burrave e grave në uniformë, me drejtues që ruajnë parcelat me drogë, që vjelin 30 për qindëshin, e që bëjnë pushime me trafikantët.
Por çdo ditë që kalon thellohet edhe më shumë gjirizi i krimit dhe drogës ku është futur Kryeministri në detyrë, gati të sfidojë edhe DEA-n amerikane, duke mbrojtur një të kërkuar prej saj si Klement Balili. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë të sundohen nga baronët e drogës.

Arben SHAHINI

Dokumentet e policisë greke për Balilin

Dokumente të policisë greke, të publikuara nga mediat e vendit fqinj zbardhin të gjithë skemën si funksiononte trafiku i drogës, që drejtohej nga Klement Balili. Pjesë e shkrimeve të mediave të huaja është edhe roli i shqiptarëve në trafik. Celula e trafikantëve që kultivonin drogën dhe garantonin dërgimin e hashashit në kufi me Greqinë ishte një celulë e veçuar nga ajo e Greqisë dhe e Belgjikës.
Ndërkohë që në Greqi dhe Belgjikë janë arrestuar tashmë të gjithë trafikantët, në Shqipëri nuk është ndërmarrë asnjë veprim dhe për më tepër nuk jepet asnjë informacion në media. Në Athinë është arrestuar Georgios Alifantis bashkëpunëtori më i ngushtë i Balilit. Në Bruksel janë arrestuar dy vëllezërit Dhimitër dhe Xhevahir Poti. Për Balilin ende nuk është nxjerrë një mandat arresti nga policia shqiptare, ndërkohë që pala greke e ka shpallur në kërkim.
Grupi përdorte agjencitë e udhëtimeve dhe agjencitë e transporteve si brenda dhe jashtë vendit për të fshehur drogën, ku shpeshherë e ka bërë këtë gjë në trajlera të mbushur me gurë dekorativë (Mermer), trajlera të ngarkuar me çokollata dhe drurë për zjarr.
Shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës: Klement Balili, 44 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Sarandë, Shqipëri. Petro Dalanaj, 59 vjeç, profesioni peshkatar, Sarandë. Kleanth Palaj, 22 vjeç, profesioni peshkatar, Sarandë. Zaharia Rondo, 50 vjeç, profesioni shofer, lindur në Himarë, banues Kifisia, Athinë. Stefan Zoto, 43 vjeç, profesioni shofer, lindur në Himarë, banues Pagrati, Athinë.

“Baroni i Ballkanit”, 20 milionë euro për “Santa Quaranta”

Gazeta greke “Ethnos” ka bërë një artikull të gjatë për “Baronin e Ballkanit”, kreun e organizatës kriminale që trafikonte drogë në të gjithë Europën. Gazeta greke ka pasqyruar të gjitha deklaratat dhe akuzat politike në Shqipëri për këtë çështje, dhe njësoj si mediat e tjera në shtetin fqinj, thotë se Eskobari shqiptar është Klement Balili. Duke folur rreth këtij personazhi, e përshkruar atë me lidhje të forta politike dhe thekson edhe fatin që është pronar i resortit luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë, një investim 20 milionë euro shkruan kjo media.
Ndryshe, nga sa u deklarua një vit më parë në inaugurimin e resortit ku morën pjesë drejtues të lartë të qeverisë, ku u tha se kushtoi 3 milionë euro. “Biznesmeni 44-vjeçar, përveç ‘Santa Quaranta’ është gjithashtu pronar edhe i hotel ‘Olivia’ në bregdetin e Butrintit. Edhe ‘Santa Quaranta’ është një investim prej 20 milionë euro. Sot është hoteli më modern dhe luksoz në bregdetin shqiptar. Hoteli organizon shpesh ‘netët greke’, ku janë të ftuar shumë emra të muzikës greke, duke përfshirë Katerina Stikoudi, George Tsalikis, Ilias Vrettos, Stavento etj”, shkruan gazeta greke “Ethnos”. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Klement Balili, 44 vjeç, konsiderohet nga mediat në Greqi si “Eskobar i Ballkanit”, i cili drejton një kartel që trafikon sasi të mëdha lënde narkotike në vendet e BE-së. Në një operacion të para pak kohëve, policia greke arrestoi në total 15 persona, ku pesë prej tyre në Zakynthos dhe dy në Belgjikë. Policia zbuloi në ishull 678 kg marijuanë, e cila në treg do të kapte një vlerë prej 1.5 milionë euro. Sipas hetuesve lënda narkotike është transportuar nga Shqipëria në Zakynthos në fund të muajit prill.

Balili kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë

Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klement Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anulonin operacionin. Kështu bën të ditur portali grek, “The Toc”, që pretendon se ka në dorë gjithë dosjen penale të çështjes. Sipas “The Toc”, operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili).
Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes Portit Civitavecchia mbërriti me traget në Portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit.
Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, “The Toc”. Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë.
Në dosjen penale, gjithmonë sipas citimeve të portalit grek “The Toc”, ka edhe një detaj interesant sa i përket qëndrimit të policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon “The Toc”, për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj. Gjithsesi, “The Toc” nënvizon se ka interes të shihet se si do të lëvizin autoritetet shqiptare, pasi të lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin.