Pescara huazon sulmuesin e PSG

Një talent premtues dhe një i ri që entuziazmon. Elozhet e drejtuesve të Pescara-s për Rey Manajn nuk kanë munguar asnjëherë, pas huazimit të sulmuesit nga Interi. Por, në rikthimin e klubit në Serinë A pas katër sezoneve mungesë, abrucezët e kanë të qartë se në sulm nevojiten lojtarë ekspertë, për të çarë murin mbrojtës të rivalëve. Kjo bëri që Manaj ta niste sezonin nga stoli, duke u aktivizuar në minutën e 64 si zëvendësues i Memushajt, në barazimin 2-2 përballë favoritëve të Napolit.
Prej kohësh në kërkim të një sulmuesi, tashmë te Pescara kanë gjetur edhe përforcimin në repartin ofensiv. Bëhet fjalë për francezin Jean-Christophe Bahebeck, i cili transferohet në stadiumin “Adriatico” në formë huazimi nga Paris Saint Germain. Vizitat mjekësore dhe firma në kontratë janë një formalitet për afrimin e 23-vjeçarit, që është konfirmuar edhe nga presidenti Sebastiani dhe trajneri Massimo Oddo.
Bahebeck është një sulmues krahu, që mund të luajë si në të djathtë, ashtu edhe në krahun e majtë, ndërsa gjatë sezonit të kaluar, kampionët e Francës e huazuan te St’Etienne, ku në 16 ndeshje realizoi tri gola.
Afrimi i lojtarit në pronësi të Paris Saint Germain bën që në sulmin e Pescara-s të rritet konkurrenca për një vend në formacion. Rey Manaj ka një rival më shumë në repartin ofensiv, aty ku për më tepër trajneri Oddo preferon të luajë vetëm me një lojtar, ku si titullar përballë Napolit ishte ish-lojtari i përfaqësueses italiane të moshave, Caprari.