Olsi dhe Besnik Sula, pas 1700 hektarëve të koncesionit të Karpenit

Olsi Rama dhe Besnik Sula, njëri vëllai dhe tjetri ortaku i ngushtë i Kryeministrit Rama janë personat që fshihen pas aferës së koncesionit të Portit të Karpenit. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetari, sipas të cilit zona ku pritet të ndërtohet ky port, jo vetëm që është rrethuar, por aty kanë nisur edhe punimet. Sipas denoncimit, punonjësit janë duke u paguar nga Besnik Sula, ortaku i ngushtë i vëllezërve Rama. “Qytetari dixhital informon se: – Prapa koncesionit të Portit të Karpenit me 1700 ha tokë është Edvin Shullazi, Olsi Rama dhe supermafiozi Besnik Sula. – Për të vjedhur 1700 hektarë tokë, narkotrafikanti Sula, Edvin dhe Olsi Rama u thonë fshatarëve se tokat shtetërore të rrethuara, që janë pronë shtetërore dhe iu përkisnin ndërmarrjeve të peshkimit dhe kripores, janë të familjarëve të Berishës, i kanë rrethuar ata ndaj dhe po jua marrim atyre”, shkruan Berisha.
Ndërkohë, në denoncimin e qytetarit shkruhet: “Zoti Berisha! Prej pak javësh po flitet shumë për një projekt të madh, por shumë të dyshimtë në mungesë totale të transparencës, për ndërtimin e një porti gjigant në zonën tonë që do të na shpëtokëka nga fukarallëku të gjithëve….! Ne jemi në përgjithësi banorë të kësaj zone mbi 200 familje kosovare të ardhur nga Kosova në Turqi dhe me ndihmën e qeverisë së Zogut ne erdhëm në këtë zonë që atëherë ishte kënetë ku na u dha tokë e shtëpi…! Në vitet 1930…! Deri në vitin ’91 ne kemi vuajtur e jemi parë si të huaj aq sa na thërrisnin si lagjia e serbëve, edhe pse quhej lagjia e Karpen emigrant…! Pas ‘91 çdo gjë ka ndryshuar dhe është ndërtuar e punuar..! Në këtë zonë është rrethuar me tel një sipërfaqe e madhe toke që dikur i përkiste dy ndërmarrjeve, asaj të peshkimit dhe asaj të kripores, afërsisht nja 1500 ha tokë fushë ngjitur me detin dhe fshatin tonë…!
Në këtë zonë të rrethuar me tel nuk mund të futen banorët, më kollaj e thyen kufirin me Greqinë se sa të futesh aty. Ata kanë një legjendë që qarkullon nëpër njerëz se, kjo tokë i përket fëmijëve të tu, gjë që unë nuk e besoj dhe në biseda me njerëzit e bëj këtë debat dhe kam qenë këmbëngulës…! Por legjendat e thurura me mjeshteri shpesh për ca kohë zenë vend…! I shtyrë nga kureshtja kam bërë përpjekjet e mia dhe diçka kam nxjerrë në sipërfaqe…! Këtu janë disa roje banorë të zonës që ruajnë territorin dhe kullosin në to bagëtitë e tyre…! Në një komunikim me njërin prej tyre, konstatova se këta paguhen rregullisht nga një njeri që është afër qoftëlargut Edvin Rama..! Ky është Besniku i Tajvanit….Suka si e ka mbiemrin…!
Pra, koncesionin e kanë së bashku Suka, qoftëlargu Edvin Rama dhe Olsi Rama! Këtu po kryhen edhe transaksione duke u shitur e tjetërsuar toka që kurrë nuk kanë patur pronar, por kanë qenë shtet…! Zoti Berisha ne besojmë shumë te ju dhe PD….që kjo aferë gjigante që do të prishë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë do të denoncohet e bllokohet nga ju e PD….! Në pritje të reagimit të PD dhe tuajit….ne do të bëjmë çmos që ta pengojmë këtë vjedhje e aferë…!”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri Berisha. Në fakt, skema e Ramës për dhënien me koncesion të Portit të Karpenit ka qenë e mirëmenduar. Sipas të gjitha të dhënave, kompania, së cilës Rama i ka dhënë Portin e Karpenit, një investim prej 5 miliardë dollarësh është një kompani e regjistruar dhe e “shpikur” enkas për këtë koncesion. I gjithë ky investim pritet të realizohet nga një kompani që nuk ka as edhe një punonjës, por vetëm një bord drejtorësh, të sapokrijuar.

Afera e dhënies së 1700 hektarëve në Karpen
Një port në ujërat e thella, me një zonë ekonomike prej 1 700 hektarësh ku do të ndërtohen një kompleks rezidencial, një impiant i rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral, një serrë teknologjike dhe në fund një akademi sportive. Projekti sipas dokumentit që shoqëron projektligjin, do të prodhojë gati 6 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit dhe 70 mijë të punësuar kur të futet në operim, mbas pesë vjetësh. Vendi se ku duhet të lulëzojë ky investim i rëndësishëm është Karpeni në Bashkinë e Kavajës. Kjo ndoshta shpjegon këmbënguljen e Kryeministrit Rama për të mbrojtur kryebashkiakun e tanishëm, i përfshirë në një proces dekriminalizimi.
Plani rregullator i Kavajës, i cili do të paraqitet në shtator, i është besuar “Atelier 4” të Alban Eftimit, i njohur për lidhjet e afërta me Kryeministrin Rama. Ndoshta, kur të miratohet plani rregullues i Kavajës do të jetë e mundur të merret ndonjë informacion më shumë mbi projektin. Kompania “Star Bridge Port Developments Limited” është një kompani nga rafti- një shoqëri që ka adresë një kuti postare, e cila në Mbretërinë e Bashkuar blihet për pak qindra paund nga shoqëritë juridike që krijojnë mijëra kompani të tilla të gatshme. Ajo është themeluar me një kapital minimal prej 100 paund nga dy ortakë, të cilët më 26 korrik 2016 ia shitën atë një shoqërie në Singapor, të quajtur “One Gate PTE ltd”, e cila është gjithashtu një tjetër kompani e regjistruar me adresë një kuti postare. Për kompaninë singaporiane nuk ka më asnjë të dhënë tjetër.