Neni për burgosjen e gazetarëve, Xhafaj akuzon SHBA dhe BE-në

Fatmir Xhafaj implikoi dje ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS se janë ata që kanë ndërhyrë në ligjin për SPAK duke kërkuar dënimin me tri vite burg për gazetarët me akuzën qesharake për “influenca të papërshtatshme”. “Ky është një proces që është realizuar nga ekspertiza ndërkombëtare kryesisht dhe nga ekspertët vendas”, tha Xhafaj dje duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve se kush e kishte formuluar nenin 13/3 të ligjit që do të jetë pjesë përmbushëse e ndryshimeve kushtetuese.
Deklarata e djeshme e Xhafës është një akuzë denoncuese e fortë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. OPDAT dhe EURALIUS janë dy misione të asistencës ndërkombëtare që kanë asistuar procesin e Reformës në Drejtësi që nga fillimi i tij dhe ato janë misione zyrtare pas të cilave janë Shtetet e Bashkuara dhe BE, ndaj të akuzosh ekspertizën ndërkombëtare se ka gisht në këtë histori të pistë të vendosjes së fjalës së lirë në gijotinë, atëherë ke akuzuar direkt Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Nëse do të besonim akuzat e Xhafës ndaj Shteteve të Bashkuar dhe Bashkimit Europian atëherë pyetja që shtrohet është se çfarë standardesh po ndiqen në Shqipëri me ligjet e fundit? A po hartohen ligje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe forcimit të demokracisë apo po ndiqet një rrugë e gabuar duke instaluar në këtë vend përmes ligjeve diktaturën e oligarkisë dhe krimit të organizuar, e cila më shumë se kurrë në këto momente është e interesuar që t’i mbyllë gojën mediave dhe fjalës së lirë?
Akuzat e djeshme të Xhafës ndaj ekspertëve të SHBA dhe BE se, ata janë pas nenit famëkeq të burgosjes së fjalës së lirë në këtë vend synojnë të njollosin dy nga piedestalet e lirisë tek të cilët shqiptarët kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në rrugëtimin e tyre të integrimit euroatlantik.
A munden vallë sot ndokush të besojë atë që artikuloi kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, dy mbrojtës dhe përçues të lirive dhe të drejtave të njeriut të kërkojnë në Shqipëri të vendosin me ligj një standard diktature?

Skandali, neni u fut fshehtazi

PD dhe LSI deklaruan dje se ata nuk kanë qenë aspak në dijeni të nenit 13/3 të ligjit për SPAK, i cili dënon me burg gazetarët. Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili deklaruan dje se në variantin zyrtar që është dorëzuar në Parlament për ligjin për SPAK pak javë më parë ky nen nuk ka ekzistuar. Ata janë shprehur se ky nen ka qenë një befasi në draftin që i është prezantuar dy ditë më parë. Por ndryshe nga anëtarët e tjerë të komisionit, të PD dhe LSI, Xhafaj nuk deklaroi se nuk ishte në dijeni në këtij neni të ri, ndërsa pranoi se shqetësimi i ngritur nga mediat për ligjërimin e censurës ndaj shtypit të lirë ishte i drejtë. “Nga pikëpamja se si e shohin njerëzit e medias ka diçka për t’u parë, por nuk është një gjë shqetësuese”, shprehet Xhafaj. Po si është e mundur që tre palë në procesin e Reformës në Drejtësi nuk kanë qenë në dijeni të këtij neni, ndërsa Xhafaj jo vetëm që është në dijeni, por edhe artikulon para mediave akuzën se kjo është një punë e ekspertëve ndërkombëtarë?
Ai shton se keqkuptimet janë një zhurmë e panevojshme, por thekson se ky paragraf i këtij neni duhet riformuluar.
“Neni 13 i ligjit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion është një zhurmë e panevojshme. Në vetvete neni nuk ka të bëjë me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe Prokurorinë. Ka të bëjë me pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme që ka punë shumë delikate dhe me konflikt. Ndaj është e nevojshme që të mbrohen prokurorët nga çdo ndikim i paligjshëm që deformon hetimin. Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar”, tha Xhafaj.
Bëhet fjalë për paragrafin e dytë të nenit 13 të projektligjit, që aktualisht parashikon që çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj.

Ja neni 13 që dënon gazetarët

Neni 13, pika 3: “Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.

Vasili: Neni u fut fshehurazi

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili, gjatë një prononcimi për televizionin “Klan” ka folur në lidhje me shqetësimin e shoqatave të gazetarëve për nenin 13 të ligjit të SPAK-ut. Z. Vasili tha se në draftin e kaluar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, të ligjit për SPAKU-un, një paragraf i tillë nuk ka ekzistuar dhe se, “Së pari, për të qenë korrekt edhe me ju edhe me opinionin publik, në draftin e kaluar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, të ligjit për SPAKU-un, një paragraf i tillë nuk ka ekzistuar. Unë vërtet jam surprizuar kur e kam parë një nen të tillë të shtuar, pasi ne aty e shqyrtuam gjerësisht ligjin dhe nuk ka pas asnjë përcaktim të tillë, bile nuk është ngritur as ndonjë shqetësim i tillë për të pasur përcaktime të tilla”, u shpreh kryetari i Grupit të LSI-së, teksa shtoi se është e papranueshme që në një sistem demokratik, të ketë institucione të pakritikueshme.
“Sigurisht që koncepti im i pandryshuar, po kuptohet edhe në mënyrë shumë të qartë edhe koncepti i LSI-së, është ky: Është e papranueshme që në demokraci, në një sistem demokratik, të ketë institucione të pakritikueshme dhe në këtë mënyrë, sigurisht edhe thelbi i këtij përcaktimi, qartazi bie ndesh me këtë princip mbi të cilin demokracia ekziston dhe për të cilin është ngritur, ndaj dhe si i tillë vazhdoj ta ripërsëris, është një përcaktim i papranueshëm”, theksoi Vasili. Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së nënvizoi se ligji duhet të pastrohet nga përcaktime të tilla, të cilat kufizojnë të drejtën e kritikës dhe lirinë e medias.
“Qëndrimi ynë është që një përcaktim i tillë është i papranueshëm ndaj dhe si i tillë nuk duhet të jetë në ligj. Pra, ligji duhet të pastrohet nga përcaktime të tilla, të cilat kufizojnë të drejtën e kritikës, kufizojnë lirinë e medias dhe njëkohësisht atë princip të kontrollit edhe që shoqëria civile apo media ka në kuptimin më të mirë të fjalës, ta vazhdojë të ekzistojë sepse kjo e shëndosh demokracinë dhe nuk e sëmur atë”, deklaroi Petrit Vasili në prononcimin e tij.

Ambasada e SHBA: Po shqyrtojmë shqetësimet

Ambasada amerikane thotë se shqetësimet e shprehura nga shoqatat e gazetarëve, për nenin 13 të projektligjit për Prokurorinë e Posaçme, po shqyrtohen nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS. Në përgjigje të interesimit të televizionit “Klan”, ambasada amerikane u shpreh: “OPDAT po punon me EURALIUS dhe Komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi, për të studiuar shqetësimet e shprehura dhe për të trajtuar çështjet e ngritura”. Edhe ambasada e Bashkimit Europian, iu përgjigj me të njëjtën mënyrë interesimit të televizionit “Klan”, pas shqetësimit të shoqatave të gazetarëve. Ndërsa nga Kuvendi, konfirmohet se palët kanë rënë dakord të ridiskutojnë ligjin dhe deri tani janë paraqitur disa propozime që do të shqyrtohen nga Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi.

Çfarë përcaktonte drafti fillestar i SPAK
Çfarë përcakton neni 15 i draftit fillestar, i cili në projektligjin që aktualisht është në Komisionin e Reformës në Drejtësi renditet si neni 13.
1. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
2. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk mund t’i udhëzojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për thelbin e hetimit apo themelin e asnjë çështje.
3. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse ka prova se prokurori apo gjykatësi është i korruptuar, mbështet një organizatë kriminale apo ka kryer një tjetër vepër penale brenda kompetencave të Prokurorisë së Posaçme.
4. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme drejtojnë punonjësit e Prokurorisë së Posaçme dhe atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë saj, përsa i përket hetimit dhe çështjeve të ndjekura prej tyre.
pra, në asnjë rresht të tij nuk parashikohen dënime të gazetarëve për “influencë të papërshtatshme” ndaj prokurorëve të posaçëm.