Ndahet nga jeta ish-kryetari i PD Mat, Abdi Llozhi

Ish-kryetari i PD Mat, Abdi Llozhi është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Llozhi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e pashërueshme dhe me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai nuk mundi të mbijetojë. Abdi Llozhi ka dhënë një kontribut të çmuar në degën e PD Mat gjatë kohës që ai e drejtoi atë si dhe që nga krijimi i kësaj dege e më pas. Dega e Partisë Demokratike Mat, i shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe të afërmëve.
Kush ishte Abdi Llozhi
Në vitin 1983 ka mbaruar Universitetin e Tiranës në degën Markshajderi (Topogjeodezi), ku i është dhënë titulli Inxhinier Markshajder dhe është emëruar në këtë detyrë në minierën e kromit Batër.
Pas emërimit inxhinier në minierën e Batrës, në vitin 1983 deri në vitin 1993, ka punuar në këtë minierë, duke ndjekur të gjitha punimet topogjeodezike për kërkimin, zbulimin dhe nxjerrjen e mineralit të kromit, me një staf prej 6 teknicienësh topografë në varësi.
Gjatë kohës që ka punuar në minierën e Batrës, ka ndjekur mijëra metra linearë punime për nxjerrjen e kromit, ka hartuar bazamentet gjeodezike (shpeshtim rrjeti) për minierat e reja, si atë të Manazdrenit, Liqenit të Dhive dhe lidhjen e bazamenteve gjeodezike të minierës së Batrës dhe Bulqizës.
Ka bërë projektin e rrugës Manazdre-Liqeni i Dhive, rreth 16 km.
Ka ndjekur punimet topogjeodezike për ndërtimin e fabrikave të pasurimit Krastë e Klos.
Pas viteve 1990, Abdiu, u përfshi në lëvizjet demokratike në Shqipëri, duke u bërë anëtar dhe themelues i Partisë Demokratike, Dega Mat, të cilën e drejtoi për dy mandate, duke mbajtur postin e Kryetarit të kësaj dege në vitet 1993-1996.
Pas vitit 1996, deri në vitin 2004, Abdiu punoi pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke mbuluar detyrën e organizimit të strukturave pranë kësaj partie, duke marrë pjesë në qindra mbledhje, kongrese e fushata të Partisë Demokratike.
Pas vitit 2004 e në vazhdim, z. Abdi u rikthye të punojë e të ushtrojë profesionin e tij, atë të inxhinierit, duke hapur një studio topografike të tij, duke marrë licencat profesionale të miratuara nga ministria përkatëse në fushën e Topogjeodezisë dhe Vlerësimit të Pasurive të Paluajtshme.
Vlerësues i Pasurive të Paluajtshme, Shkalla e Parë, për “Ndërtesa e troje”.
Gjatë ushtrimit të profesionit si inxhinier, Abdiu u regjistrua si Ekspert Topogjeodet pranë Gjykatave dhe Prokurorive të Republikës së Shqipërisë.
Si Ekspert Topogjeodet ka bërë mbi 500 akte ekspertimi teknik topografik për llogari të Gjykatës së Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Krujës, Kurbinit, Shkodrës e Lezhës, si dhe për Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Lezhë e Durrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sistemin e drejtësisë me profesionalizmin dhe aktet e ekspertimit të realizuara prej tij.
Gjatë kohës që ka punuar si ekspert topogjeodet, ka përpiluar me qindra harta e plane rilevimi për llogari të hipotekave në Shqipëri (Tiranë, Durrës, Lezhë, Krujë, Laç) si dhe plan-vendosje pronash për llogari të personave privatë për trajtimin e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave të Republikës së Shqipërisë.
Ka punuar me kohë të pjesshme me shumë firma ndërtuese, si inxhiner topogjeodet, duke marrë pjesë në projektim e zbatim në ndërtime rrugësh e pallatesh, si firma “Superbeton”, “Gjikuria”, “Erniku”, “ARCHIMED” SH.P.K etj.
Ka ndjekur punimet topogjeodezike në objektin 5 kate nën tokë + 9 kate mbi tokë, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, objekt që është ndërtuar nga subjekti ndërtues “ARCHIMED” SH.P.K.
Ka ndjekur punimet topogjeodezike në ndërtimin e objektit të “AMC”-së dhe rrugës lidhëse me gjatësi 350 m në fshatin Mëzes, Tiranë, ndërtuar nga subjekti ndërtues “ARCHIMED” SH.P.K.
Ka ndjekur punimet topogjeodezike në ndërtimin e objekteve tip vilash 3-katëshe, në fshatrat Lundër, Farkë e Vishaj, Tiranë, ndërtuar nga subjekti ndërtues “ARCHIMED” SH.P.K.
Gjatë vitit 2013, ka kryer punimet topogjeodezike (me grup inxhinierësh) për hartimin e projektit të hidrocentralit të Shkopetit, për llogari të kompanisë “Albanian Hydropower 2013”.
Abdiu u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë tumorale, me dt. 19.08.2016, duke lënë në pikëllim të thellë bashkëshorten e tij Marinën, vajzën Irini me profesion Infermiere, djalin, Renato, me profesion Inxhinier Hidroteknik, si dhe mjaft miq, kolegë e të afërm.