Mziu inspekton investimet e reja në Paskuqan në rrjetin e kanalizimeve, rrugë dhe riparim ure

Mbi 55% të vlerës së buxhetit të Bashkisë Kamëz për vitin 2016 është parashikuar për investime publike, pjesa më e madhe e të cilave do të realizohet në Njësinë Administrative të Paskuqanit
Bashkia Kamëz vijon me intensitet punën me investimet prioritare për komunitetin. Pas inspektimit të punimeve të investimeve të reja në lagjen nr.4 të Kamzës si dhe Frutikulturë, kryebashkiaku Xhelal Mziu ka ndjekur personalisht nga afër punimet e investimeve në proces që po kryhen në Paskuqan nga Bashkia. Një investim i dobishëm për banorët e Paskuqanit që po realizohet nga Bashkia Kamëz është rrjeti i kanalizimeve në Paskuqan 2, Vresht, që po ndërtohet aktualisht me fondet e Bashkisë. Për të parë ecurinë e punimeve ishte i pranishëm kryebashkiaku i Kamzës, z. Xhelal Mziu. Gjatë inspektimit të punimeve ai është shprehur se ky nuk do të jetë investimi i vetëm në Paskuqan, pavarësisht nga indiferenca e qeverisë për të financuar projektet e Bashkisë.
Prandaj, janë shfrytëzuar të gjitha burimet e të ardhurave për të bërë të mundur që në buxhetin e kësaj njësie vendore të parashikohen investime në fushat më prioritare për banorët. Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të ndotura që po ndërtohet, ka gjatësi L = 216 ml, me tuba betoni Ø 1500 mm. Përveç kanalizimeve, në këtë gjatësi do të ndërtohet edhe rruga, e cila do të ketë gjerësi 5 ml, me trotuare anash me nga 1 ml gjerësi, si dhe me të gjitha standardet e duhura të asfaltit. Rrugës së re nuk do t’i mungojë as ndriçimi dhe gjelbërimi. Me realizimin e këtyre investimeve, për banorët e zonës marrin zgjidhje një sërë problemesh e shqetësimesh në lidhje me infrastrukturën urbane. Falë punës së Bashkisë dhe vizionit të kryebashkiakut Mziu për një urbanizim të Paskuqanit, edhe kjo zonë do të ketë së shpejti atë standard që duhet, në mënyrë që banorëve t’u ofrohen kushte më të mira jetese.
Të tjera investime që kryebashkiaku Mziu ka ndjekur punimet nga afër janë riparimi i urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimi i rrugës para shkollës “Vëllazërimi” në zonën e Paskuqanit. Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, i cili ka inspektuar vijimin e punimeve për riparimin e urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimin e rrugës para shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”. Ky është një tjetër investim i Bashkisë me të ardhurat e veta, që është drejt përfundimit. Riparimi i urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimi i rrugës para shkollës “Vëllazërimi” është një nga projektet e Bashkisë Kamëz të parashikuara në buxhetin e vitit 2016. Në një gjatësi prej 152 ml dhe gjerësi 10 ml, rruga para shkollës “Vëllazërimi” do të ofrojë lehtësi për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, veçanërisht për nxënësit e shkollës.
Pikërisht për këtë, ndërhyrja e Bashkisë merr një rëndësi tepër të veçantë. Gjithashtu, këtë ndikim do të ketë edhe rikonstruksioni i urës që lidh këtë zonë me kryeqytetin. Në Paskuqan po ndërhyhet me dhjetëra investime për sa i përket infrastrukturës rrugore, të kanalizimeve, si dhe të asaj arsimore. Projekti për riparimin e shtresave të urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimi i rrugës para shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” bën pjesë në investimet e parashikuara në buxhetin e Bashkisë për vitin 2016. Realizimi i këtij investimi do të sjellë ndikim pozitiv të jashtëzakonshëm social, për shkak se do të përmirësojë kushtet e jetesës për banorët e zonës. Ky është edhe pikësynimi i Bashkisë, që nëpërmes politikave zhvillimore të saj të bëjë të mundur përmirësimin e infrastrukturës urbane në Kamëz dhe në Paskuqan. Dhe kjo, mbështetur vetëm në të ardhurat e vetë Bashkisë. Mbi 55% të vlerës së buxhetit është parashikuar për investime publike, pjesa më e madhe e të cilave do ta realizohet në njësinë administrative të Paskuqanit.