Mjeku i dënuar për korrupsion në krah të kandidatit të PS në Dibër

“Rilindja vazhdon fushatën e Dibrës me “të fortë” e të inkriminuar. Shembulli më i fundit vjen nga Kalaja e Dodës. Personi në krahun e djathtë të Damian Gjiknurit është Bajram Himallari mjek në profesion, por që profesionin e ka ushtruar shumë pak”

PS po bën fushatë në Dibër me njerëz që kanë patur probleme me drejtësinë. Drejtuesi i Departamentit të Emigracionit në PD, Bardh Spahia, ka publikuar në faqen e tij në “Facebook” një fotografi të takimeve të zhvilluara nga ministri Gjiknuri e Kalanë e Dodës, në krah të të cilit shfaqet mjeku Bajram Himallari. Sipas Spahisë, mjeku Himallari rezulton të jetë i akuzuar për korrupsion dhe i dënuar për falsifikim dokumentesh. “Rilindja vazhdon fushatën e Dibrës me “të fortë” e të inkriminuar. Shembulli më i fundit vjen nga Kalaja e Dodës. Personi në krahun e djathtë të Damian Gjiknurit është Bajram Himallari mjek në profesion, por që profesionin e ka ushtruar shumë pak. Zotëria në fjalë ka qenë për vite kryetar i Komunës Kala e Dodës në Dibër, detyrë të cilën e ka ushtruar të mbuluar nga hije korrupsioni e veprimesh të jashtëligjshme. Kryetari Himallari ishte besnik i devotshëm i Partisë së tij aq sa nuk ngurronte për të nxjerrë armën kundër kryetarit të Partisë Demokratike në këtë komunë. Por problemet e tij nuk ndalojnë me kaq. Në vitin 2010, ai u vendos në ndjekje penale dhe është akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”. Me vendimin datë 22.08.2010, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë caktoi masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, vendim i cili është ndryshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin datë 13.09.2010, duke caktuar si masë sigurimi personal atë të “detyrimit për paraqitje” në Policinë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2011 KQZ vendosi dërgimin e zotit Himallari për ndjekje penale, pasi kishte ndryshuar në momentin e fundit vendndodhjen e 2 qendrave të votimit, duke dëmtuar rëndë procesin e votimit për vendorët në Kalanë e Dodës. E sikur të mos mjaftonin këto zoti Himallari ka ushtruar së fundmi detyrën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Dibër, ku përsëri akuzohet për një abuzim mbi 3 milionë lekë të reja. Kjo shifër mjaft e madhe për pak muaj detyrë e detyroi ish-kryetarin e Bashkisë Dibër, Shukri Xhelilin ta shkarkojë nga detyra e ta dërgojë çështjen në ndjekje penale. Pikërisht CV kaq e “pasur” e Himallarit e bën atë një nga aktivistët kryesorë të fushatës së Rilindjes për Dibrën. E impenjimi i tij meriton një shpërblim. Këto ditë në kuadër të “fortunës për të shpëtuar aferën korruptive të checkupit” Ilir Beqja shkarkon nga detyra drejtorin e një prej Qendrave Shëndetësore më të mëdha në Tiranë, të një qendre që mbulon gati 100.000 banorë. Ky vend i është premtuar Himallarit që merr detyrën, pasi të përmbushë angazhimet e fushatës në Dibër. A e di ministri Beqja situatën penale të zotërisë që po emërohet drejtor i Qendrës Shëndetësore Kamëz? Ku është standardi i dekriminalizimit? A e dinë zoti Gjiknuri dhe kryeministri Rama me çfarë personi u paraqitën në fushatë banorëve të Kalasë së Dodës e të mbarë Dibrës? Jam i bindur se e dinë shumë mirë, por ky është standardi i Rilindjes. Së fundmi një apel për kolegun Muharrem Rama! I bëj thirrje të largojë nga fushata e tij për kryebashkiak njerëz të inkriminuar si Himallari, Arben Ndoka etj. Dibra nuk trembet zoti Rama e nëse shpresën për fitore e ke bazuar mbi individë të tillë po gabon rëndë” shkruan Spahia në reagimin e tij.