MASKARADA

Makinat e doganave në fushatën e PS në Dibër prova e krimit elektoral të Ramës. Shteti i krimit në panik nga humbja me 11 shtator

Makinat e blinduara të doganës të blera përmes një tenderi të dyshimtë plot shkelje ligjore e proceduriale me vlerën e 400 mijë eurosh janë vënë në dispozicion të kandidatit të Ramës për Dibrën për t’i përdorur për fushatën elektorale. Makinave u janë hequr logot e doganave dhe u janë vendosur ato të PS dhe prej disa ditësh qarkullojnë në zonën e Dibrës.
Makinat e fotografuara teksa janë parkuar në Drejtorinë e Pëgjithshme të Doganave kanë të njëjtat targa me ato që po përdor kandidati i Ramës për fushatë. Siç duket edhe në foto, makina e doganave me targa AA 3981Z që në një nga fotot shfaqet e parkuar në mjediset para Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shfaqet me po të njëjtën targë por me logo të ndryshuara duke u përdorur nga kandidati i Ramës.
I inkriminuari Arben Ndoka aktivizohet nga Rama në krye të fushatës së PS për Bashkinë Dibër. Ministria e Brendshme aktivizon ushtrinë në mbështetje të kandidatit Muharrem Rama për Dibrën.
E së fundmi, makinave të doganës u hiqen logot për t’u vënë në dispozicon të fushatës së PS në Dibër. Janë këto seria e lajmeve të publikuara përditë në lidhje me fushatën që është duke zhvilluar Rama për Bashkinë Dibër. Pas një denoncimi të ish-kryeministrit Berisha disa ditë më parë, dje mediat publikuan disa foto, në të cilat dëshmohej se si makinave të blera me vlerën 400 mijë eurove për doganën u janë hequr logot dhe u janë mbivendosur me logot e PS. Këto makina kanë nisur të qarkullojnë në Dibër dhe janë duke u përdorur nga kandidati i Ramës për fushatën elektorale.
Mazhoranca duket tërësisht e angazhuar në fushatën zgjedhore në Bashkinë Dibër, duke mos kursyer as infrastrukturën shtetërore. Siç shihet në këto foto, automjetet e Doganave janë në shërbim të kandidatit socialist, Muharrem Rama. Madje në makina janë stampuar edhe logot e PS dhe PDIU, si dhe mbishkrimi “Muharrem Rama shërbëtori i Dibrës”.
Nëse shikon me kujdes fotot, duke u fokusuar te targat, kupton që janë automjetet e Doganave, thjesht i kanë ndryshuar ngjyrat për të mos rënë në sy.
PS ka aktivizuar në këtë fushatë edhe ish-deputetin Arben Ndoka, i cili la mandatin, pasi rezultonte me rekorde kriminale.
Përdorimin e makinave të Doganës në fushatën e kandidatit socialist e denoncoi dy ditë më parë edhe ish-kryeministri Berisha përmes një postimi në faqen e tij në Facebook. “Doganieri dixhital denoncon: Urdhërin e Edvin Shullazit për kalimin e të gjitha makinave “Land Rover” Defender të sistemit doganor për fushatën elektorale të kandidatit të Partisë Siçiliste në Dibër! “Përshëndetje Z. Sali! Jam një punonjës i doganave dhe socialist 24 karat, si i thonë fjalës. Nuk ma kishte marrë mendja kurrë që do të vinte dita tju shkruaja e të qaja hall se nuk të kam votuar KURRE, por e kam hall shteti jo hall personal. Të gjitha makinat e doganës “Land Rover” Defender me të cilat punojmë, i kanë shpënë në Dibër me urdhër të zv/drejtorit Besmir Qibini sipas tije me urdhër të kryeministrit! Derisa të mbarojnë zgjedhjet në Dibër jemi në kafe se punë s’bëjmë dot. Halln e kemi se në fund na kërkojnë “planin” dhe e hamë ne jo Qebini””, shkruhej në denoncimin e publikuar nga ish-kryeministri Berisha.