Maradona sulmon Leo Mesin!

Maradona është Maradona, ai nuk ndryshon. Flet pa diplomaci dhe sulmon drejt e në shenjë. Mesi ka qenë për shumë kohë njeriu i përkëdhelur i tij, por tashmë mes dy legjendave të futbollit argjentinas ka nisur një periudhë ngrice. Shkak është bërë vendimi i numrit 10 për t’u larguar nga kombëtarja dhe Maradona nuk arrin ta përtypë një gjest të tillë.
“Nuk e di nëse vendimi i Mesit u bë për të mbuluar faktin, se Argjentina ka dështuar në tre finale rresht. Një djalë që fillimisht thotë se do të largohet dhe më pas tërhiqet nga vendimi brenda pak ditësh. Kjo tregon se nuk je në rregull”.
Duke qëndruar në këtë linjë, Maradona sfidon Mesin teksa shton se shpreson që Mesi ta refuzojë ofertën e trajnerit të ri, Bauza, për të riveshur fanellën bardhekaltër. “Mendoj se Mesi do ta refuzojë edhe pse është krijuar ideja që ai mund të bëjë një hap pas. Gjithsesi, ky është vetëm mendimi im dhe ndoshta gabohem”, theksoi vetëm pak ditë më parë Maradona, i cili mesa duket ka gabuar parashikim.