LIND GESTAPO, S’KA VETTING

Drejtori i ministrit të Tahirit do të kontrollojë Kryeprokurorin, anëtarët e Gjykatës së lartë dhe të gjithë prokurorët e gjyqtarët

Sipas ligjit të miratuar dje në Parlament me votat e mazhorancës, drejtori i ministrit Tahiri do të kontrollojë Kryeprokurorin, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë prokurorët e gjyqtarët. Ndërkohë, po sipas ndryshimeve, anëtarët e Komisionit të Vettingut do t’i monitorojë Drejtori i DPPP që është Alket Hyseni, Kryetari i Komisionit të garancive statutore në PS. Më konkretisht, vetëm përmes një fotoje të kapur të një gjyqtari apo prokurori me një individ që është i padënuar por nën akuzë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do të largohen menjëherë nga detyra.
Ligji i hap rrugë një praktike terrori ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës, por vetëm me instalimin e metodave të Gestapos për të nënshtruar Drejtësinë. Ky është një ligj qëë shkel mbi Kushtetutën e miratuar me konsensus me 22 korrik.
Mazhoranca ka miratuar e vetme pa praninë e opozitës ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e draftit të Reformës në Drejtësi. Ndryshimet e miratuara dje i japin kryeministrit ekskluzivitetin për shkarkimin e prokurorëve edhe gjyqtarëve.
I cilësuar si një nga ligjet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, Rama qëllimisht bëri nul konsensusin e arritur në seancën e 22 korrikut duke kaluar pa miratimin e opozitës ligjin për Vettingun, një ligj i cili ëhstë tërësisht antikushtetues, e mbi të gjitha i jep në mënyrë të drejtëpërdrejtë Kryeministrit të drejtën për të shkarkuar gjyqtarët e prokurorët.
Ligji u miratua me 88 vota pro dhe 1 abstenim, ndërsa opozita ishte larguar nga Parlamenti para nisjes së votimit, duke kundërshtuar ligjin me pretendimin se është ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe nuk është i njëjti që u arrit me konsensus në draftin e 22 korrikut të miratuar në Parlament.
Deputetët e opozitës janë larguar nga Parlamenti për të mos marrë pjesë në votimin për ligjin e vetingut, pjesë e draftit të Reformës në Drejtësi. Opozita thekson se ligji për vetingun që është arritur me konsensus në votimin e 22 korrikut është ndryshuar gjatë këtij muaji nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme, që bie ndesh me Kushtetutën. Para nisjes së seancës së jashtëzakonshme, opozita kishte paralajmëruar se do të ishte e pranishme në Parlament, por nuk do të votonte këtë ligj që është ndryshuar nga shumica me qëllim kapjen e drejtësisë.
Demokratët i bënë thirrje mazhorancës që të votohej projektligji që ndodhet në Kushtetutën e votuar mesnatën e 22 korrikut me konsensusin e të gjitha palëve. Nga ana tjetër, shumica parlamentare bëri me dije që do ta votonte me çdo kusht kusht këtë ligj, qoftë e vetme dhe në mënyrë të njëanshme këtë ligj.

Vrasësi Prenga voton Vettingun
Projektligji ka kaluar vetëm me votat e PS, LSI dhe PDIU, teksa është vënë re abstenimi nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Opozita e braktisi sallën, duke hequr kështu dorë nga votimi dhe konsideruar projektligjin antikushtetues.
Votën e tyre pro e kanë dhënë edhe deputetët e përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Armando Prenga e Tom Doshi. Menjëherë pas votimit, në një deklaratë për mediat, Kryeministri Edi Rama ka thënë se ky votim ishte një mesazh i qartë për kastën e të korruptuarve në drejtësi.

Çfarë është ligji i ri i Vettingut?
Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (i njohur me termin: Vetting) ka për qëllim ngritjen e një sistemi rivlerësimi tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim rritjen profesionale të tyre, luftimin e korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Ai është menduar të realizohet nga tre komponentë:
1) Evidentimi real dhe individual i nivelit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe marrjen e masave përkatëse për rritjen e nivelit profesional të atyre që kanë mangësi ose largimin nga sistemi i drejtësisë të atyre që janë tërësisht të paaftë dhe dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe sjellin pasoja të pariparueshme për të drejtat e njeriut.
2) Evidentimi real dhe individual i pasurisë së vendosur në mënyrë të paligjshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e shtrirë jashtë kufijve të Shqipërisë kontrollin e pasurive të tyre.
Megjithëse deklarimi dhe kontrolli i pasurive të kësaj kategorie bëhet prej vitesh në Shqipëri, për shkak të pengesave ligjore dhe institucionale nuk ka qenë e mundur që pasuria e tjetërsuar ose e regjistruar në emra të personave të afërm ose të lidhur me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të zbulohet nga autoritetet shqiptare.
3) Evidentimi i elementëve konkretë të lidhur me krimin e organizuar, duke rritur mundësinë e kontrollit të lidhjeve të dyshimta edhe jashtë territorit të Shqipërisë por edhe me anë të mjeteve të përdorura nga shërbimet e specializuara për këtë qëllim.
Ky ekzaminim i trefishtë i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka për qëllim jo vetëm shkëputjen një herë e mirë të elementëve të lidhur me krimin, por edhe të atyre të paaftë që i kanë përfituar vendet e punës mbi bazën e lidhjeve korruptive, politikisht ose financiarisht.