Largim i pashmangshëm

James Rodriguez e ka thënë qartë se nuk dëshiron të largohet nga Reali i Madridit. Gjithsesi qëndrimi i tij pritet të ndryshojë pas ndeshjes me Celta Vigon në javën e dytë të Primera Division. Nëse Zidane, sikurse veproi edhe ndaj Real Sociedadit në Anoeta, nuk do ta aktivizojë titullar, kolumbiani pritet të kërkojë largimin para datës 31 gusht, që shënon edhe mbylljen e merkatos verore. Pra, ndeshja me Celta Vigon mund të jetë e fundit për 25-vjeçarin me fanellën e Realit të Madridit.
Në fakt Zidane e ka rekomanduar prej kohësh transferimin e mesfushorit në një klub tjetër, por insistimi i futbollistit për të qëndruar, e mban ende të lidhur me klubin spanjoll.
Chelsea dhe Arsenali janë dy skuadrat që kanë shfaqur më shumë interes për shërbimet e kolumbianit. Shtypi britanik ditët e fundit ka zbuluar se Roman Abramovich është gati të paguajë deri 70 milionë euro për kartonin e tij. Interesim për Jamesin ka shfaqur edhe Juventusi, por këta të fundit nuk janë të gatshëm t’i ofrojnë Realit 70 milionë euro, pasi shpenzuan 90 milionë për transferimin e Higuainit nga Napoli.
Ndërsa pak orë më parë nga Italia u raportua se menaxheri i lojtarit ka vizituar Torinon për të parë mundësinë e transferimit të klientit të tij te Juventusi. Pengesa kryesore për kalimin e Jamesit te bardhezinjtë mbetet çmimi i lartë i kartonit të tij, aq më tepër që kampionët e Serisë A shpenzuan 90 milionë euro për blerjen e argjentinasit Gonzalo Higuain. Kështu, ndeshja ndaj Celta Vigos mund të jetë e fundit për James Rodriguezin në fanellën e Real Madridit.
Në fakt Reali i Madridit edhe në të kaluarën ka treguar se bën lëvizje të papritura, duke shitur emra të rëndësishëm me vlerë shumë të madhe në merkato në momentet e fundit. Më 2 shtator të 2013, Mesut Ozil u largua nga kryeqyteti spanjoll drejt Arsenalit vetëm një ditë pas fitores me Atletic Bilbaon, ku qëndroi në stol.
Në fillim të sezonit 2014-2015, Carlo Ancelotti nuk e grumbulloi Angel di Marian në ndeshjen e kthimit të Superkupës së Spanjës me Atleticon e Madridit, katër ditë më vonë futbollisti u transferua te Manchester United.
Në të njëjtën periudhë, Xabi Alonso i kërkoi trajnerit që të qëndronte në stol në javën e parë të Primera Division kundër Cordobas, katër ditë më pas firmosi për Bayernin e Mynihut.