“Kryqëzohet” De Bur

Zhoze Murinjo e konsideronte “prostitucion intelektual”, ndërsa Sandro Piçinini (gazetar i njohur i “Mediaset”- it) pranoi dje se Frenk De Buri ishte vendosur në shënjestër të mediave vetëm se nuk kishte miq gazetarë italianë. Këto ditë nuk janë të lumtura për trajnerin e ri të Interit.
Në vendlindjen e tij, Holandë, i kanë shkuar në thelb problemit. E përditshmja “Algemeen Dagblad” publikoi dje intervistën e bërë me “të akuzuarin”. “Kullonte në djersë derisa priste që përkthyesi i tij u përshtaste përgjigjet gazetarëve, të cilët e mbytën me pyetje”, ishte përshkrimi që i bënte gazetari situatës së De Burit pas humbjes me Kievon.
Ndërsa vetë trajneri pa përdorur emra akuzoi indirekt paraardhësin për punën e dobët që ka bërë në aspektin fizik.
-Dëgjuam gjatë konferencës për shtyp se, Interi nuk është në kushtet e duhura fizike për të interpretuar skemat e tua të preferuara. A është një problem ky?
Po, është e vërtetë. Nga ana fizike na mungon ende shumë punë për të bërë, pasi lojtarët nuk janë në formë. Mes të tjerash duhet që të kalojë pak kohë që lojtarët të interpretojnë në fushë atë çfarë unë u kërkoj gjatë stërvitjeve. Gjatë fazës përgatitore, asnjëri prej lojtarëve më të mirë të Interit nuk ka mbyllur një ndeshje të plotë.
Ata pritet që të rikuperojnë formën e tyre më të mirë me kalimin e javëve, ndërkohë që konkurrenca është përpara nesh në këtë drejtim. Kjo nuk është normale. Por, në shumë klube, mund të dëgjojmë trajnerë, të cilët ankohen për formën e dobët të lojtarëve, që kanë qenë pjesë e kampionatit europian ose të Kupës së Kombeve.
Keni parë mesfushën tonë, e cila përbëhet prej një argjentinasi, një kiliani dhe një italiani. Perisiç është një lojtar i mirë, më pëlqen, por sot për sot nuk bën për skemën time konservatore, pasi është i lodhur prej Europianit që ka zhvilluar.
-Çfarë ke mësuar deri më tani nga periudha 2-javore që je në Milano?
Të gjithë besojnë në atë çfarë bëjnë. Interi ka shumë lojtarë cilësorë, por që tani duhet të fillojnë të luajnë edhe si ekip. Mendoj se në këtë drejtim mund të përmirësohemi shumë. Këtë e kam pranuar që në fillim.
-A ke nisur që të mësosh italisht?
Po, tri herë në javë kemi nga dy orë leksion italishteje. Unë, Orlando Trustful dhe Alesandro Shunmaker i frekuentojmë, ndërsa Mishel Krik nuk vjen, pasi e njeh mirë gjuhën. Në fillim të duket gjithçka si një formulë magjish, por tani jam mësuar, pasi i kam kapur logjikën.
-E pe Ajaksin kundër Vilhemit të Dytë?
Jo, të them të drejtën nuk e kam parë, pasi këtu kam shumë për të bërë.