Juventus tenton Iscon

Përfshirja e Asensios në formacionin titullar të Realit të Madridit ka nxitur interesimin e Juventusit për Iscon. Klubi italian beson se në momentet e fundit të merkatos, Reali i Madridit do të pranojë transferimin e mesfushorit spanjoll në Torino. Bardhezinjtë janë të interesuar si për Iscon ashtu edhe për James Rodriguezin, por kampionët në fuqi të Serisë A e kanë të qartë se kolumbiani nuk largohet nga kryeqyteti spanjoll pa 70 milionë euro në arkat e Los Blacos, shumë të cilën është i gatshëm ta paguajë Chelsea. Për këtë arsye, torinezët janë përqendruar vetëm te Isco, pasi çmimi i kartonit të tij nuk i kalon 30-40 milionë euro.
Juventusi ka qenë shumë aktiv gjatë merkatos së verës dhe falë shitjes rekord të Paul Pogbasë te Manchester United, ka ruajtur edhe bilancin e hyrje-daljeve. Ka shpenzuar 157 milionë euro, ndërkohë që ka arkëtuar 1 milion më shumë, çka i lejon që të bëjë edhe një sforco tjetër ekonomike për një lojtar cilësor. Atlernativë është edhe Cuadrado, kartonin e të cilit e zotëron Chelsea, pa harruar francezët Matuidi dhe Sissoko.
Alvaro Morata është ringjallur në Madrid. Ylli spanjoll i dha fund aventurës së suksesshme me Juventusin dhe vendosi të vazhdojë karrierën e tij me Realin. Në tempullin “Bernabeu”, ai i ka vënë qëllim vetes të jetë pjesë integrale e “galaktikëve” dhe duket se ia ka arritur qëllimit.
Në ndeshjen e parë të sezonit në kampionat, trajneri Zinedin Zidan ia gjeti vendin në formacion kundër Real Sociedadit. 23-vjeçari ka formuar tredhëmbëshin sulmues me Bejlin dhe Asension.
Alvaro, Asensio në vend të Kristiano dhe Benzema, ndërsa Bejl vazhdon të jetë epiqendër dhe i pathyeshëm si nga ana sportive dhe fizike. Francezi dhe portugezi janë të dëmtuar, por ndaj Sociedadit, performanca e Moratës dhe Asensios bënë që të dy sulmuesit të harrohen. Ish-sulmuesi i Juventusit, luajti për 77 minuta në nivele të larta, duke i dhënë impulse lojës së Realit.
Ai shkëlqeu në fushë, duke e ndihmuar skuadrën si në sulm dhe në mbrojtje. Për të marrë notën 10, atij i mungoi vetëm goli, pasi shënuesit mbajtën emrin e Bejlit (2 gola) dhe Asensios. Filozofia e zgjedhur nga Zidan i përshtatet Moratës. Reporteri i “Marca”, J.L.Kaldergon, në analizën e tij shprehet i bindur se, Morata do të jetë pjesë e trekëndëshit sulmues.
Është e pamundur që t’i zërë vendin Ronaldos, por Karim Benzema me siguri do të ulet në stol. Ky ndryshim do të sjellë trekëndëshin “ABC”. Një tjetër favor për Moratën është edhe fakti që fansat madrilenë, së bashku me presidentin Perez duan sa më shumë lojtarë spanjollë në formacion. Kundër Real Sociedat, Zidani aktivizoi 5 spanjollë në formacionin bazë, Ramos, Morata, Kasija, Karvahal dhe Asensio.