Ikën dhe Rrahmani

Një tjetër kuqezi i bashkohet përfaqësueses së Kosovës. Mbrojtësi Amir Rrahmani ka lënë kombëtaren shqiptare të futbollit për të luajtur për ekipin e drejtuar nga Albert Bunjaki. Mbrojtësi i RNK Splitit ka vendosur të largohet përfundimisht nga kombëtarja shqiptare për të veshur fanellën e Kosovës duke pasuar Milot Rashicën, Alban Mehën dhe Herolind Shalën. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ish-mbrojtësi i Partizanit thekson se ngjyrat kuqezi do të mbeten në zemrën e tij, por gjatë ditëve të fundit është detyruar të marrë një vendim shumë të vështirë, atë të shkëputjes nga Shqipëria për të përfaqësuar skuadrën e vendlindjes.
“Sot mora një prej vendimeve më të vështira në jetën time, sot vendos që karrierën sportive ta vazhdoj me vendin në të cilin kam lindur, me Kosovën që me identitetin e ri, synon të pushtojë shtigje të reja dhe të marrë suksese të reja. Vendimi për të vazhduar me Kosovën nuk është vendim kundër Shqipërisë, përkundrazi tregon se ne vazhdojmë të jemi shumë të lidhur dhe nga njëri ekip mund të kalojmë te tjetri, duke e kuptuar vendimin në mënyrën më të drejtë të mundshme”, thekson ndër të tjera Rrahmani. Në vijim ai shton se shpreson që nëpërmjet këtij vendimi të bëjë krenarë të gjithë shqiptarët e Kosovës me një përfaqësim sa më dinjitoz në ndeshjet zyrtare.
Deklarata e plotë e Amir Rrahmanit
“Për disa vite e në shumë ndeshje, barta me krenari fanellën e kombëtares, qoftë ekipit shpresa, qoftë të ekipit të parë. Në çdo sekondë të stërvitjeve dhe punës u mundova të jap maksimumin tim, për ato ngjyra që gjithmonë do të mbesin në zemrën time, ashtu siç janë në zemrën e çdo shqiptari.
Sot mora një prej vendimeve më të vështira në jetën time, sot vendos që karrierën sportive ta vazhdoj me vendin në të cilin kam lindur, me Kosovën që me identitetin e ri, synon të pushtojë shtigje të reja dhe të marrë suksese të reja.
Vendimi për të vazhduar me Kosovën nuk është vendim kundër Shqipërisë, përkundrazi tregon se ne vazhdojmë të jemi shumë të lidhur dhe nga njëri ekip mund të kalojmë te tjetri, duke e kuptuar vendimin në mënyrën më të drejtë të mundshme!!!
Kosova ka nevojë për përfaqësim sa më të mirë si një shtet i ri dhe shpresojmë t’i bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët ashtu siç Shqipëria i bëri krenarë.
Dua të falënderoj kombëtaren shqiptare, drejtuesit e FSHF-së, trajnerët dhe tifozët kuqezi për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe sa isha pjesë e Shqipërisë.
Me respekt Amir Rrahmani”.