Hysaj, gati rinovimi me Napolin

Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare dhe Napolit, Elseid Hysaj, është shumë pranë rinovimit me klubin italian. Prej disa javësh palët janë në negociata, por tashmë duket se çdo gjë është finalizuar, pasi agjenti i futbollistit dhe presidenti De Laurentis kanë gjetur një marrëveshje.
Sipas raportimit të “calciomercato.it”, firma zyrtare në kontratën e re pritet të vijë gjatë kësaj jave, para ndeshjes së kampionatit kundër Milanit ditën e shtunë. Në kontratën e re, përveç përmirësimit të kushteve financiare të shqiptarit, flitet se do të përfshihet edhe një klauzolë shitjeje prej 50 milionë eurosh.
Gjatë verës, Hysaj u përfol si një objektiv i shumë skuadrave me emër, ku spikasnin Barcelona dhe Arsenali. Paraqitja mjaft e mirë e Hysajt sezonin e shkuar në Serinë A dhe me kombëtaren shqiptare në EURO 2016, ka bërë që Napoli ta blindojë mbrojtësin e tij dhe të pranojë të heqë dorë nga ai vetëm për një shumë të konsiderueshme parash.